Joshua Homberg u bë protagonisti atij që për shumëkënd mund të jetë skandali më i madh në historinë e MMA-së (artet marciale të përziera), ku UFC është kampionati më i madh dhe më i njohur në botë.
Në qytetin gjerman Gelsenkirchen, klubi vendas organizoi një ndeshje nën kujdesin e German MMA Championship (GMC), një turne amator për peshat e rënda, ku katër luftëtarë garuan për titull: Joshua Homberg, Aleksandar Grujić, Moritz Pohl dhe David Minnemann.
Fillimisht, Minnemann dhe Pohl hynë në oktagon dhe, pas një dueli të vështirë, Minnemann avancoi në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër, Joshua Homberg u përball me Grujić dhe arriti të fitojë.
Kështu, Homberg dhe Minnemann siguruan një vend në finalen që do të zhvillohej më vonë.
Dhe pikërisht këtu nisi skandali. Jeremias Homberg, binjaku identik i Joshua-s, ndodhej gjithashtu në Gelsenkirchen dhe, ndonëse më pak i njohur në botën e MMA-së, stërvitej në UFD Gym.
Ndërsa luftëtari po i drejtohej ringut, disa persona vunë re menjëherë se diçka nuk shkonte.
Ata që prisnin të shihnin një Joshua të lodhur nga përballja e mëparshme, panë një luftëtar të freskët që hynte në oktagon.
Ishte, sigurisht, Jeremias Homberg, i tradhtuar nga një tatuazh që e nxori zbuluar.
Mjaftoi vetëm një raund për të fituar dhe pavarësisht përpjekjeve të ekipit për të fshehur tatuazhin që e zbulonte mashtrimin, e vërteta doli në shesh.
Binjakët u ndëshkuan menjëherë, ndërsa drejtori i GMC-së deklaroi se, së bashku me Federatën Gjermane të MMA-së, do të kërkonin përjashtimin e përhershëm të vëllezërve.
"Skandali më i madh në histori ndodhi këtu, në GMC Olympix", tha Deniz Haciabdurrahmanoglu, para se të shpjegonte situatën me një foto të dy vëllezërve:
"Në të djathtë në foto është pjesëmarrësi i GMC Olympix. Në të majtë, binjaku i tij. E pamundur t’i dallosh."
Më pas ai sqaroi detajet e mashtrimit:
"Joshua Homberg ishte pjesëmarrësi zyrtar, fitoi gjysmëfinalen me pikë pas tre raundeve. Dy orë më vonë, në finale, shfaqen tatuazhet. Në vend të tij, në ring futet binjaku Jeremias, fiton me një goditje të vetme dhe bëhet kampion i GMC Olympix."
Haciabdurrahmanoglu shtoi se GMC e zbuloi mashtrimin falë tatuazheve të Jeremias, të cilat ndryshonin nga ato të vëllait të tij, veçanërisht një i vendosur në gjoks, pranë zemrës.
Edhe pse ekipi i tyre u përpoq t'i fshihte, dhe Joshua madje hyri në oktagon pas fitores së Jeremias me një bluzë me kapuç për të mos u zbuluar, mashtrimi u zbulua dhe skandali shpërtheu.