Pereira synon të mbrojë titullin

Boksi

Pereira synon të mbrojë titullin

Më: 7 mars 2025 Në ora: 11:26
Alex Pereira

Në stadiumin “T-Mobile Arena” të Las Vegas, do të zhvillohet këtë fundjavë eventi UFC-313 në artet marciale mikse, eventi i tretë i madh i këtij viti. Në total, në kafaz do të zhvillohen 12 duele.

Një event i rëndësishëm për MMA-në, ku spikat dueli për titullin kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha 84-93kg) mes kampionit në fuqi Alex Pereira dhe sfidantit Magomed Ankalaev.

Braziliani Pereira (12 fitore e 2 humbje në kafaz) e mbrojti tri herë titullin e këtij Divizioni herën e kaluar dhe shihet si favorit edhe në këtë përballje. Ai nuk humbet në kafaz prej dy vitesh.

Rivali rus Ankalaev (19 fitore, 1 humbje, 1 barazim e 1 duel pa rezultat) nuk humbet prej 7 vitesh dhe synon për herë të dytë titullin e këtij Divizioni. Në vitin 2022, dueli ndaj ish-kampionit të asaj kohe (Jan Blachowicz) doli barazim.

Mes kampionëve që do të ngjiten në kafaz në këtë duel është edhe amerikani Justin Gaethje, një ikonë e këtij sporti, që dikur mbante edhe titullin “BMF”. Ai do të përballet me kazakun Rafael Fiziev.

UFC-313, duelet kryesore

Alex Pereira – Magomed Ankalaev

Justin Gaethje – Rafael Fiziev

Jalin Turner – Ignacio Bahamondes

Amanda Lemos – Iasmin Lucindo

King Green – Mauricio Ruffy

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat