Stresi ka qenë ndër të parët nga personazhet e njohur që doli në mbështetje të protestës për vrasjen e Klodian Rashës. Madje reperi është shpallur në kërkim nga policia për shkak se organizoi protestën si mik i të ndjerit. Ndërkohë dje Stresi nuk ka qenë i pranishëm në protestë, por ka ndarë një pjesë kënge që i ka prekur të gjithë.
Reperi ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë një këngë të re, e cila është shumë aktuale me situatën për Klodian Rashën. Producenti Edlir Begolli nuk ka mundur t’i rezistojë tekstit prekës dhe e ka ndarë me të gjithë. Më pas Stresi e ka ripostuar në adresën e tij.
“Është zëri i nanës që qan ku e ka djalin e vet. Ajo nuk flen ku me dit se sa netë, del te dera veç e pret”, shprehet Sresi në këngën në fjalë.
Ai tregon se këtë projekt e ka përjetuar me lot dhe se do të vijë në bashkëpunim me një artist tjetër, por nuk e ka zbuluar se më kë. Nuk dihet as se kur kënga do të pblikohet, por duket se Stresi ia dedikon Klodianit dhe familjes së tij.