Rita Ora do të jetë pjesë e panelit të jurisë së “The Voice Of Australia” për të zgjedhur talentet e rinj në muzikë. Në panelin e jurisë do të jenë edhe Keith Urban, Jessica Mauboy dhe anëtari i vitit të shkuar Guy Sebastian.
Rita ka eksperincë në këtë fushë, sepse edhe më herët ajo ka qenë pjesë e spektakleve “The Voice” dhe “X Factor” në Britani..
“Unë e dashuroj The Voice dhe e adhuroj Australinë kështu që ky është një bashkim i krijuar në parajsë. Kam qenë trajnere në Britani dhe e di se sa fuqi ka në bërjen e ëndrrave realitet. Mezi po pres që të gjej superyllin e radhës të Australisë”, është shprehur Rita për “Perth Now”.
Nuk dihet se kur do të nisin xhirimet për këtë spektakël, por thuhet se Rita do të lërë Britaninë për të udhëtuar drejt Australisë për shkak të tij. Ndërkohë kujtojmë se këto kohë artistja me origjinë shqiptare ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të shkeljes së rregullave anti-Covid.
Këngëtarja udhëtoi drejt Egjiptit në mes të pandemisë dhe organizoi po ashtu ditëlindjen e saj me 30 miq duke shkuar kundër rregullave. Mirëpo ajo kërkoi falje publike pas këtyre veprimeve, duke u shprehur se kishte bërë një veprim të pafalshëm.