Alban Skënderaj dhe Arilena Ara janë njohur në “X Factor Albania 2” rreth 7 vite më parë, kompeticion ku këngëtari ishte pjesë e jurisë, ndërsa 22-vjeçarja konkurrente.
Arilena Ara fitoi kupën e atij edicioni, që i hapi rrugën drejt suksesit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tregun muzikor ndërkombëtar.
Dhe tani dyshja e famshme vijnë me bashkëpunimin e tyre të parë së bashku, të titulluar “A i sheh”, një këngë e krijuar nga vetë Albani, ku i dhuron botën në duar partneres në një arrati dashurie në natyrë, në këtë rast Arilenas Arës.
Para publikimit, Arilena Ara publikoi foto me këngëtarin në një vend malor dhe shkroi: “A i sheh rreth teje bukuritë?”.
Ndërsa Alban Skënderaj iu përgjigj: “I shoh, i shoh!”.
Klipi ka një fabul interesante, ku Albani e çon të dashurën e zemrës në majën më të lartë dhe i tregon gjithë bukuritë e botës, të cilat figurativisht thotë se ia ka dhuruar asaj, edhe pse është në një dilemë ekzistenciale.
“Të kërkoj falje, falje, falje falje/ Që nuk gjej do një rrugëdalje/ Po pres për një ringjallje / A i sheh rreth teje bukuritë? Malet, lumenjtë, oqeanet ti a i sheh? Janë për ty, a i sheh? Rrezet e diellit mbi poezitë, ngjyrat e gjithë kësaj bote ti a i sheh? Janë për ty, a i sheh?”, shkruan ai në vargjet e fillimit të këngës.
Më tej vazhdon: “A i sheh puthjet në perëndim? Pikat e shiut që bien ti a i sheh? Janë për ty, a i sheh? Lotët që rrjedhin nga një gëzim buzëqeshjet e një fëmije ti a i sheh? Jane per ty, a i sheh? A i sheh dallgët, që përplasen shkëmbinjve sa herë që mendoj për ty, a i sheh?”.
E nisur nga romamca dhe kimia artistike në këngë, fansat nuk kanë munguar me thumbimet e tyre, se a bëhet xheloze gruaja e tij, Miriam Cani?
Për këtë arsye, Miriami tashmë nënë e dy fëmijëve nga martesa me Albanin, ka bërë komentin e saj publik, ndërsa është shprehur se u dashurua me këtë këngë që në momentin e parë dhe i pëlqen shumë kombinimi i Albanit me Arilenën.
Kujtojmë që Albani ishte ndër të ftuarit specialë në ditëlindjen e Arilenës në Jug të vendit. Por në atë atmosferë, muzikanti i njohur Flori Mumajesi ngriti një alibi se bashkëpunimi hit i rradhës mund të ishte mes tij dhe rivalit të përjetshëm në muzikë, Albanit.
Por pas kaq muajsh ndodhi bashkëpunimi surprizë mes tij dhe Arilenës.