Aktorja e famshme shqiptare, Monika Lubonja e ka konsideruar 2020-ën si një nga vitet më të dhimbshme dhe më të këqija të jetës së saj për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Rreth dy muaj më parë ajo u infektua nga COVID-19 dhe e konsideroi “një luftë mes vdekjes dhe jetës”.
Ndërsa rrëfeu se pandemia ka ndikuar edhe në karrierën e saj si aktore.
Ajo u shpreh se nuk mund t’i bënin shfaqjet në teatër, si edhe publiku nuk mund të ishte i pranishëm në skenë.
Monika Lubonja shprehu lumturinë për mbarimin e vitit 2020 dhe se është gjithë shpresë për vitin e ri që sapo kemi hyrë.
“2020-ta për mua ka qenë pak e dhimbshme do të thoja, sepse nga profesoni që kemi u kufizuam shumë, shfaqjet që ne kemi nuk mund t’i bënim më në teatër, spektatori s’mund të ishte i pranishëm por edhe aktivitetet e mia private, që lidheshin me fëmijët ishin gati të pamundura këtë vit për shkak të kësaj sëmundje që ra. Këtë vit nuk e kam përjetuar mirë, do e quaja si një nga vitet më të këqija dhe më të dhimbshme të jetës sime. Sa mirë që kaloi dhe jam tërë shpresë për 2021-shin. Ngjyrën jeshile nuk e heq më,”- u shpreh aktorja në emisionin “Rudina”.
Pas infektimit me COVID, Monika Lubonja e bëri publik lajmin vetë me anë të një postimi në Instagram ku u bënte apel prekurve që të tregonin kur janë me COVID.
Ajo u shpreh se duke e mbajtur të fshehtë infektimin, po “vrasim njëri-tjetrin”.
Aktorja shkroi se kush nuk e ka provuar sëmundjen nuk i kupton efeket e saj, por sipas saj të prekurit e dinë që kjo është “një luftë dhe është një luftë e ashpër mes jetës e vdekjes.”
