Ariana Grande dhe partneri i saj, Dalton Gomez lidhën kurorë në fshehtësi të plotë. Këngëtarja 27 vjeçare konfirmoi se ishte martuar fundjavën e kaluar në një ceremoni sekrete në shtëpinë e saj në Montecito, Kaliforni. 25 vjeçari i propozoi këngëtares një vit pasi lidhja e tyre u bë publike majin e kaluar, kur ata u shfaqën së bashku në videoklipin “Stuck With U”.

Sipas TMZ, çifti zgjodhi një ceremoni të vogël me disa të ftuar ku shkëmbyen betimet e dashurisë.
Një burim i afërt pranë këngëtares, fitueses së Grammy-t tha se ceremonia u zhvillua në zonën ku jetojnë Oprah Winfrey, Ellen DeGeneres, Princi Harry dhe Meghan Markle, dhe se asnjëri prej tyre nuk dëshironte të priste më gjatë.

Të njëjtat burime thonë se ata kishin vendosur që dasma e tyre të ishte verore dhe e thjeshtë. “Ishte elegante, por jo e tepruar. Ariana donte një dasëm me shije pa ekzagjerim. Ajo që ata të dy dëshironin ishte të ishin afër familjeve dhe njerëzve të tyre, për të shijuar momentin.”, tha burimi.