Gjon Muharremaj ishte shqiptari që përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision 2021”, me këngën “Tout L’Universe”.
I njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, ai arriti të renditej i treti në natën finale.
Artisti bëri simbolin e shqiponjës dykrenare në momentin që mësoi se Shqipëria e kishte vlerësuar me 12 pikë.

Mirëpo, kjo gjë nuk është pritur mirë nga serbët. Mediat e këtij vendi shkruanin se ky veprim ishte ‘provokim i qartë’ e madje ‘skandal’ dhe se këngëtari duhet të diskualifikohej.
Veprimi i Gjonit ngjalli shumë reagime edhe në rrjete sociale, ku mori një mori sharjesh dhe ofendimesh nga individë që kërkonin skualifikimin e tij.
Pas gjithë kësaj zhurme, Gjoni ka folur për herë të parë për këtë ngjarje dhe ka zbuluar arsyen pse e bëri simbolin.

“Nuk e kuptoj shqetësimin. Unë doja thjesht të falënderoja Shqipërinë. Shqiponja dykrenare është simbol i Shqipërisë.
Ju keni qëndruar gjithmonë pas meje… keni qenë gjithmonë krenarë për mua. Jam shumë i lumtur për këtë gjë dhe kjo ishte mënyra ime e falënderimit”,- është shprehur Gjoni gjatë intervistës në emisionin televiziv “Glanz & Gloria”.

Familja e Gjonit prej vitesh jeton në Zvicër, por prejardhjen e kanë babai nga Kosova e nëna nga Shqipëria.
