Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ishte disa ditë më parë në Shqipëri, ku është pritur nga kryeministri, Edi Rama, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Artistja e famshme shqiptare vizitoi kryeqytetin për të parë nga afër punimet që po zhvillohen për mobilimin e kopshtit me fondet që janë mbledhur nga shitja e bluzave “Lutu për Shqipërinë”, një iniciativë nga vetë këngëtarja në bashkëpunim me miqtë e saj.
Ditën e sotme, Veliaj ka publikuar një nga momentet më të veçanta me Duan. Kjo e fundit shfaqet me lopatë në duar teksa po mbjell një pemë, ashtu siç shumë personazhe të tjerë të njohur kanë bërë kur kanë vizituar Tiranën.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/25/auto_-640-0-60fd38221bd641627218173.png)
“Për hajër… Nuk ikën askush nga Tirana pa mbjellë një pemë”, shkroi Erion Veliaj në mbishkrimin e videos.
Ndërkohë Dua Lipa ka bërë disa postime në rrjetet e saj sociale, ku i ka falënderuar të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë asaj dhe familjarëve që e shoqëronin në këtë udhëtim.