Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina” nga Festivali i Venecias deri te Milano Fashion Week

Bota e Yjeve

Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina” nga Festivali i Venecias deri te Milano Fashion Week

Nga: Maksim Gjoka Më: 2 tetor 2021 Në ora: 14:37
Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina”

Quhet Alfred Ejlli, Themeluesi dhe Drejtori Kreativ i Atelier Regjina që me botëkuptimin, krijimtarinë dhe stilistikën e hollë po promovon dhe përcjell me ngulm në shtetin Italian një brand të ri e unik në llojin e tij.

Të gjithë flasin për të, për punën e realizuar me kaq profesionalizëm dhe kujdes, për mesazhet  plot shpresë që lindin nga forca e femrës që ndër vite në heshtje, me fije mëndafshi dhe tezgjah kanë thurur historinë e modës artizanale të trashëguar për breza me radhë.

Reflektorët e botës së modës janë ndezur dhe po shoqërojnë hap pas hapi rrugëtimin e të riut shqiptar me origjinë nga Shkodra që plot elegancë ka spikatur në tapetin e kuq të edicionit të 78-të të Film Festival Venezia, për të vijuar më tej në sfilatën e International Festival Expo, në javën e modës milaneze duke pasqyruar artin e qepur me mjeshtëri nga duart e arta të motrës së tij Vera.

Image
Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina”

Atelier Regjina është fryt i frymëzimit të një imazhi të rrënjosur në memorien e Alfredit ku pasqyrohet imazhi i nënës së tij Regjina e cila me përkujdesje ka arritur të edukojë fëmijët, të mundësojë mbarëvajtjen e punëve shtëpiake dhe njëkohësisht të krijojë fustane artizanale.

Brandi Regjina është një portal që lidh të shkuarën me të tashmen aty ku prerja, qëndisja dhe përpunimi i veshjeve ndërlidhen me artin.

Image
Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina”

Atelier Regjina ka si synim të promovojë gratë që e shikojnë të ardhmen me sy plot shpresë dhe që ndjehen të lira të shprehin brishtësinë e tyre përmes forcës që i karakterizon dhe veshjeve plot stil dhe elegancë.

Image
Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina”

Duar grash të afta që ndërthuren me pëlhura, fije, lidhëse, të animuara nga tingulli mekanik dhe i përsëritur i tezgjahut për t’i dhënë jetë krijimtarisë së tyre.

Veshje që nuk janë vetëm copa, por dëshmi të një gjenealogjije të një familjeje, veçanërisht të grave që kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje në hijen e mureve të shtëpisë.

Alfredi dhe koleksioni i tij  i parë “Terra madre” – “Toka Nan”,  vetëm në vitin e fundit kanë qenë pjesë e disa programeve italiane: Costume e Società – Rai 2 etj.

Gjithashtu kemi dhe një sërë artikujsh ku ndër të tjerë vlen të përmendet: The Way Magazine - Christian D’Antonio, Hydrogen i Luca Magnoni.

Në sfilatën e parë të organizuar në Riccione, hapja e mbrëmjes gala u performua me mjeshtëri nga dy balerinë të Teatrit të La Scala të Milanos, Massimiliano Dalla Mora e Giorgia Sacher, ku interpretuan në mënyrë simbolike “lindjen e brandit”. Në këtë inaugurim prezantuesja Loredana Mendicino, Drejtoreshë e SpazioDemo Magazine, veshi një nga fustanet e koleksionit të parë të Atelier Regjinës.

Artisti në fjalë, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediat artdashëse të Shqipërisë ku ka qenë i ftuar në shume programe televizive.

Në të gjithë eventet dhe programet TV që kanë ftuar dhe folur mbi Atelier Regjina, është nënvizuar finesa e fustaneve, vlera e punës artizanale dhe dashuria e madhe me të cilën cdo fije peri ka përshkuar copën që në gjenezë, duke u vlerësuar pozitivisht në masë nga kritikë të modës italiane dhe asaj ndërkombëtare.

Image
Stilisti shqiptar mahnit të gjithë me “Regjina”

Zemra e Atelier Regjina qëndron tek njerëzit, në pasionin dhe dedikimin e tyre.

Në themelet e suksesit të Regjinës, përtej fantazisë origjinale të Artistit themelues, mbizotëron bashkëpunimi dhe dëshira e pakushte e Juristit Salvator Gjecaj, në cilësinë e Drejtorit Administrativ dhe Koordinues, i cili me formimin universitar ndërkombëtar, eksperiencën dhe përkushtimin e tij suporton Atelier Regjina në punën e përditshme në lidhje me organizimin e përgjithshëm dhe administrimin e kërkesave të veçanta.

Një ndihmesë të veçantë e ka dhënë dhe vazhdon t’ja japi Konsulenti Komercialist Fabio Buccella, që me profesionalizmin e tij orienton Atelier Regjina në praktikat me karakter ekonomik.

Një pikë e rëndësishme është aftësia për ti dhënë hapsirën e duhur talenteve të reja, ndaj në organigramën e Regjina kemi Roberto Sammartino - specialist i informatik/ web design, Mattia Cai -  fotograf zyrtar, Stefania Ristoro - Përgjegjëse e Komunikimit , Vanessa Valli - ilustruese e Brand-it, të cilët me vullnetin dhe zellin e tyre i japin dita ditës një shkëlqim akoma më të madh projektit në fjalë.

Botekuptimi, pasioni, fantazia e Alfredit nuk ndalen dhe nuk mund të plazmohen në një realitet të vetëm, ndaj ashtu si shqiponja dykrenare,  Alfred dhe Salvator kanë për qëllim të promovojnë kulturën shqiptare përmes artit, modës dhe projekteve sociale, duke përcjellë përtej kufijve, bukurinë, çiltërsinë, forcën dhe imazhin e një populli që ka vajtuar por që vazhdimisht e ka gjetur forcën e duhur për të ecur përpara. Mjafton që te ndiqni ate ne rrjetet sociale për me tepër www.atelierregjina, alfred_angeli ,ose ne facebook Atelier Regjina, Alfred Ejlli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat