Vajza e Kate Moss, Lila Grace Moss, u shfaq në pasrelë për të mbyllur Javën e Modës në Milano. Moss eci në sfilatë në shfaqjen e kombinuar të Fendi dhe Versace, të quajtur "Fendace". Modelja 19-vjeçare, e cila ka diabet të tipit 1, mbante veshur një xhaketë të shkurtër dhe një body me print stil barok, duke ekspozuar këmbët e saj të gjata, përfshirë edhe pompën e insulinës në kofshë.
Modelja ndau një fotografi në Instagram dhe disa video nga pasarela, si dhe momente prapa skenave nga shfaqja.
Megjithëse ajo nuk e përmendi në postim praninë e pompës së insulinës, që dukej qartë në këmbën e saj, fansat në komente e lavdëruan modelen që nuk e fshehu dhe i dha dukshmëri diabetit të tipit 1 në industrinë e modës.
"Si një diabetike T1 (dhe ish-modele), FALEMINDERIT për mbajtjen e pajisjes në pistën e madhe!" ka shkruar një përdoruese. "Je një mbretëreshë dhe dua që këto fotografi të jenë kudo sepse sa më shumë të ndajmë për diabetin T1 aq më mirë".
"Ju nuk e keni idenë sa frymëzuese është kjo fotografi, jo vetëm për diabetikët e tipit 1, por për vajzat e reja kudo që të tregojnë të vërtetën e tyre dhe të mos lejojnë asgjë t’i stepë," –shkroi dikush tjetër.
Sipas CDC, diabeti i tipit 1 është një sëmundje që ndodh kur pankreasi i trupit ndalon prodhimin e insulinës, një hormon që rregullon nivelet e sheqerit në gjak. Një pompë insuline është një pompë pa tuba, e mbushur me insulinë, që hyn drejtpërdrejt në trup për të dhënë doza të hormonit gjatë gjithë kohës.
Moss foli për diabetin e saj gushtin e kaluar në një intervistë me The Kit. Kur u pyet për diçka që shumica e njerëzve nuk e dinin për të, modelja zbuloi diagnozën e saj publikisht.
"Unë mendoj se jo shumë njerëz e dinë që kam diabet," tha ajo. "Nuk është e dukshme nga jashtë, kështu që askush nuk do ta dinte vetëm duke më parë. Unë kam tipin 1.”
Pasi u pyet nëse kjo ishte një kauzë për të cilën do të përfshihej në të ardhmen, Moss pohoi, duke thënë se do të donte të ndihmonte sa të mundej.