Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz janë një nga çiftet më të përfolur të momentit. Kjo për shkak se ata priten që t’i japin fund beqarisë, duke kurorëzuar dashurinë e tyre në martesë.
Në media po flitet gjatë për dasmën e shumëpritur, teksa po diskutohet gjithashtu edhe vendi i ngjarjes së rëndësishme.
Prindërit e dyshes, David dhe Victoria Beckham dhe biznesmeni miliarder Nelson Peltz dhe ish-modelja Claudie Heffner Peltz, kanë një sërë shtëpish luksoze në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mund t’i ofrojnë për ditën më të rëndësishme të fëmijëve të tyre.

E çifti e ka vendosur se ku do realizojnë dasmën e tyre, e cila pritet të jetë madhështore dhe me shumë të ftuar VIP. Brooklyn dhe Nicola kanë zgjedhur banesën me pamje nga deti në Florida të Nelson, për ditën e madhe më 9 prill.
Prona ka 27 dhoma gjumi dhe ka vlerë rreth 78 milionë paund. Të ftuarit, shumë nga të cilët do të jenë personazhe publik, do të mund të shohin oborret e bukur dhe pamjen e mrekullueshme bregdetare. Rezidenca ka shumë stil, dhe përveç pamjes bregdetare ka edhe një pishinë gjithashtu.

Edhe pse të pranishmit me siguri do të duan të ndajnë në rrjete sociale pamje nga ky vend i mrekullueshëm, mesa duket ata do t’i nënshtrohen disa rregullave, dhe thuhet se nuk do të mund të bëjnë fotografi apo të përdorin rrjete sociale gjatë ditës pasi është e ndaluar.
Sipas medieve të huaja, Vogue do të ketë të drejtën ekskluzive për të shpërndarë fotot e para të nuses dhe dhëndrit.
