Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një anë më natyrale të sajën, duke publikuar disa fotografi pa makijazh.
Në InstaStory, Bebe tregoi me krenari dukjen e saj të pa përpunuar, duke përfshirë rrathët e errët poshtë syve – një tipar që ajo e ka pasur gjithmonë.
Në njërën nga postimet, interpretuesja e hitit “Meant To Be” tha se rrathët e errët poshtë syve i ka pasur që në rininë e saj dhe theksoi se tashmë i pranon me krenari.
“Nuk dua të dëgjoj ndonjë koment për rrathët e mi të errët,” shkroi ajo. “Kjo është diçka që gjithmonë kam pasur teksa rritesha dhe gjithnjë mendoja se ishin të shëmtuar, por tani mendoj se janë të këndshëm.”
Ky mesazh i saj vjen si një ftesë për pranimin e natyrshmërisë dhe veçorive unike, duke inkurajuar fansat të ndihen rehat me pamjen e tyre të vërtetë. Bebe Rexha është shfaqur shpesh herë si një përkrahëse e fuqishme e pozitivitetit trupor, dhe kjo herë nuk është përjashtim.
Përveç postimeve personale në rrjetet sociale, këngëtarja ka qenë aktive këtë vit në skenën muzikore me disa këngë të reja. Megjithatë, fansat e saj janë ende në pritje të albumit të katërt, i cili pritet të vijë me surpriza të reja muzikore nga Bebe Rexha.