Cheryl emocionoi fansat në daljen e saj të parë televizive pas vdekjes tragjike të ish-partnerit të saj, Liam Payne.
Ish-ylli i ‘One Direction’, babai i djalit të saj, Bear, shtatë vjeç, ndërroi jetë muajin e kaluar në moshën 31-vjeçare pas një aksidenti të rëndë në Buenos Aires, Argjentinë.
Gjatë paraqitjes, Cheryl, 41 vjeçe, u bashkua me shoqet e grupit Girls Aloud – Nadine Coyle, Nicola Roberts dhe Kimberley Walsh – për të promovuar nismën e tyre bamirëse në kujtim të anëtares së ndjerë të grupit, Sarah Harding, shkruan DailyMail.
Grupi prezantoi një version të ri të këngës ikonike “I’ll Stand By You”, ku Sarah ishte vokaliste kryesore.
Kjo ishte një mënyrë prekëse për të nderuar Sarah, e cila ndërroi jetë në shtator 2021, në moshën 39-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit.
Fansat vlerësuan Cheryl për qëndrueshmërinë e saj përballë humbjeve të shumta.
“Ajo ka kaluar kaq shumë dhe është tepër e fortë”, shkruan një fans, ndërsa të tjerë ndanë emocionet e tyre mbi këngën dhe rëndësinë e saj për vajzat e grupit dhe për publikun.
“Kjo këngë godet ndryshe. Një mesazh kaq i fuqishëm”, tha një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Nuk mund të ndaloj lotët. Dëgjimi i vokalit të Sarës në një këngë kaq të veçantë është prekës”.
Gjatë homazhit, Cheryl dhe vajzat e grupit përpiqeshin të mbanin emocionet nën kontroll.
Cheryl ndau ndjesitë e saj për rëndësinë e këngës, duke theksuar se ajo ishte një testament për lidhjen e fortë që kishin ndarë si grup dhe për dashurinë e tyre për mikeshën e tyre të ndjerë, Sarah.