Pas gati dy vitesh lidhje, Princ Leka drejt martesës me fotografen e ish-çiftit mbretëror!

Bota e Yjeve

Pas gati dy vitesh lidhje, Princ Leka drejt martesës me fotografen e ish-çiftit mbretëror!

Më: 25 janar 2025 Në ora: 14:32
Princ Leka dhe Blerta Celibashi

Vetëm pak ditë më parë, Princ Leka është dënuar nga Gjykata me 16 muaj shërbim prove për dhunë ndaj ishbashkëshortes, Elia Zaharia. Vendimi erdhi gati 1 vit më pas se pamjet e sherrit në atë që quhet Pallati Mbretëror të bëheshin publike.

Por duket se vetë trashëgimtari i kurorës, nuk është shqetësuar aspak nga këto lajme. Madje jo vetëm kaq, por ai tashmë ka vijuar me angazhimet publike, ku tashmë, rolin e shoqërueses së tij e ka marrë partnerja e re, Blerta Celibashi. Burime pranë çiftit, bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar edhe gjyqi i fundit mes dy ish-bashkëshortëve, çifti është duke menduar për dasmën e tyre.

Ndryshe nga martesa e parë, me Elian, që në Tiranë mbërritën familje të shumta mbretërore, këtë herë me Blertën, ceremonia do të jetë më private, duke dashur që të kurorëzojnë dashurinë e tyre vetëm pranë rrethit të ngushtë. Miqtë e dyshes bëjnë me dije se si Leka ashtu edhe Blerta janë shumë diskret për të folur për dasmën e tyre, ndonëse rrethi i ngushtë është njohur tashmë me detajet e para.

Image
Princ Leka dhe Blerta Celibashi

Prej disa muajsh, dyshja është duke bashkëjetuar dhe pranë kësaj marrëdhënie është edhe Geraldina, në kohën që ajo shpenzon me babain e saj. Tashmë hapi i radhës pritet që të jetë edhe celebrimi i çiftit, duke përmbyllur kështu me kurorëzim, një histori dashurie gati 2 vjeçare. Historia që disa muaj më parë jetohej në fshehtësi të plotë, tashmë është bërë më se publike dhe Leka shoqërohet kudo nga Blerta, madje edhe në eventet publike ku është i ftuar.

Princi ka publikuar në rrjetet sociale disa foto krah Blertës nga Lushnja, ku ata kanë marrë pjesë në një ceremoni në kuadër të 105-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Në një nga fotot e publikuara nga vetë Leka, fotografja shihet teksa e shoqëron partnerin e saj në takimet me qytetarë e pjesëmarrës në këtë event, duke i mbajtur çadrën për shkak të reshjeve të shiut. Në të njëjtën ditë që u publikuar fotot, gjyqtarja Migena Laska dënoi Princ Leka Zogun me 1 vit burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove.

Image
Princ Leka dhe Elia Zaharia

Princ Leka u dënua për ushtrim dhune ndaj ish-bashkëshortes, Elia Zaharia dhe babait të saj, Gjergj Zaharia. Togat e zeza dënuan me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babain e Elia Zaharisë, ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë. Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e tij në shërbim prove për një periudhë prej 1 vit e 40 ditë, me kusht që gjatë kohës së provës, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Ndërsa u vendos pafajësia për Elia Zaharinë për akuzën e dhunës në familje, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Familja mbretërore ka qenë kryefjala përgjatë viti të kaluar. Ishin pikërisht festat e fundvitit 2023, që zbuluan edhe ndarjen e Princ Lekës me Elia Zaharian. Pas një historie 15-vjeçare, duket se përrallës me princ i erdhi fundi dhe një fund me shumë zhurmë mediatike.

Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës. Ndërkohë më 5 mars, çifti u përplasën fizikisht me njëritjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ishbashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldina dhe ishvjehrrin. Gjithashtu, baba e bijë paditën për dhunë 42- vjeçarin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat