Ish-reperi i njohur shqiptar, Feronit Shabani – Fero, do të jetë i ftuari i parë në sezonin e ri të “Shok Podcast”, një prej podcasteve më të ndjekura në Kosovë.
Ky lajm është bërë i ditur nga moderatori i emisionit, Fisnik Juniku, i cili ndau në InstaStory një fotografi me Feron, duke i ftuar ndjekësit të dërgojnë pyetje për artistin.
Përveç interesit të madh për intervistën, një detaj i veçantë ka tërhequr vëmendjen e publikut: veshja e Feros. Në fotografinë e publikuar, ai shihet i veshur me një pulovër të dhuruar nga Bedri Krasniqi, ish-luftëtari i UÇK-së i cili ka qenë i dënuar dhe i ngarkuar me disa akuza për vepra penale.
Ky detaj ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale, duke shtuar kuriozitetin për intervistën dhe temat që do të trajtohen.
Fero, i cili vitet e fundit ka kaluar në një periudhë reflektimi dhe ndryshimesh të mëdha në jetën e tij, pritet të ndajë më shumë rreth rrugëtimit të tij, largimin nga muzika dhe angazhimet e reja.
Intervista e tij në “Shok Podcast” do të jetë një ndër më të shumëpriturat, duke parë qëndrimin e tij të rezervuar ndaj mediave në muajt e fundit.
Fansat mezi presin të dëgjojnë rrëfimin e tij dhe të zbulojnë nëse do të ketë një rikthim të mundshëm në skenën muzikore.