COVID-19 nxiti uljen rekorde të lirimit të gazeve serrë në botë

Bota

COVID-19 nxiti uljen rekorde të lirimit të gazeve serrë në botë

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 23:04
Foto ilustrim

Studimi i ri ka treguar se emetimi i gazeve është pakësuar për rreth 7 për qind gjatë këtij viti. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shënuar rënien më të madhe, kryesisht për shkak të izolimeve të rënda si kundërpërgjigje ndaj shpërthimit të valës së dytë të infektimeve

Reagimi global ndaj pandemisë së koronavirusit ka gjeneruar rënien më të madhe vjetore të lirimit të dyoksidit karbonit në mjedis qysh prej Luftës së Dytë Botërore, ka treguar një studim i publikuar të premten.

Studimi i ri ka treguar se emetimi i gazeve është pakësuar për rreth 7 për qind gjatë këtij viti. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shënuar rënien më të madhe, kryesisht për shkak të izolimeve të rënda si kundërpërgjigje ndaj shpërthimit të valës së dytë të infektimeve.

Në anën tjetër, Kina ka pasur një tjetër ndikim nga koronavirusi, duke bërë që lirimi i përgjithshëm i tyre të rritet këtë vit.

Sipas ekipit të studiuesve në kuadër të “Projektit Global të Karbonit”, niveli i lirimit të sivjetmë i karbonit ka rënë përgjithësisht për 2.4 miliardë tonë. Kurse, rënia e regjistruar më 2009 gjatë rënies globale ekonomike ishte vetëm gjysmë miliardi ton, derisa ai i kohës së përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte nën një milion ton.

Në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rënia ishte rreth 12 për qind gjatë vitit, por në disa vende rënia e regjistruar ishte edhe më e madhe.

Franca ka shënuar rënie prej 15 për qind, ndërsa Mbretëria e Bashkuar rreth 13 për qind, ka treguar analiza e të dhënave mjedisore.

“Arsyeja kryesore është se këto dy vende i kanë pasur dy valë të izolimit, të cilat kanë qenë përnjëmend shumë më të rënda krahasuar me vendet e tjera”, ka thënë profesori Corinne Le Quéré nga Universiteti i Anglisë Perëndimore, i cili ka kontribuar në studim. “Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë pjesa më e madhe e lirimit të gazeve serrë buron nga sektori i transportit dhe përgjithësisht më pak nga industria dhe sektorët e tjerë. Kjo është edhe më e pranishme në Francë, për shkak se pjesa më e madhe e prodhimit të energjisë elektrike është nga energjia bërthamore, kështu që 40 për qind e emetimeve buron prej sektorit të transportit”.

Aviacioni në tërë botën është goditur rëndë nga masat e kufizimit dhe nga fundi i këtij viti pritet që emetimet nga ky sektor të jenë 40 për qind nën nivelet e vitit 2019.

Një prej vendeve që e ka prishur këtë trend është Kina.

Në përgjithësi, ekipi studimor ka vlerësuar se ky shtet aziatik do të ketë rënie të emetimeve prej rreth 1.7 për qind këtë vit, porse disa analiza kanë sugjeruar se aty tashmë është shënuar një rikuperim i mjaftueshëm nga COVID-19.

“Të gjitha grupet tona të të dhënave tregojnë se Kina ka pasur një rënie të madhe të emetimeve në shkurt dhe mars, por grupet e të dhënave të nivelit të emetimeve për fundin e 2020-s dallojnë me të parin”, ka thënë Jan Ivar Korsbakken, studiues i lartë në “CICERO”, që ishte pjesë e studimit.

“Në fund të vitit 2020, Kina ka dalë të jetë të paktën afër së pasurit nivelin e njëjtë të emetimeve ditore sikurse në 2019-n dhe sigurisht se disa nga vlerësimet tona sugjerojnë se emetimet kineze ka gjasa të jenë rritur në tërë vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, pavarësisht pandemisë”, ka shtuar ai.

Studiuesit besojnë se rënia dramatike e evidentuar gjatë reagimit ndaj pandemisë mund të fshehë prapa vetes një rënie më afatgjatë të karbonit, të lidhur më shumë me politikat klimatike.

Rritja vjetore e emetimeve globale të dyoksidit të karbonit ka rënë përgjithësisht nga 3 për qind, krahasuar me fillimin e viteve të këtij shekulli, në afro 0.9 për qind në vitet 2010. Pjesa më e madhe e këtij ndryshimi vjen nga mospërdorimi i thëngjillit si burim energjie.

“Një diskutim i rëndësishëm para vitit 2020 ishte nëse emetimet globale të gazeve serrë ishin duke shfaqur shenja të ngritjes”, ka thënë Glen Peters, drejtor i studimit në CICERO.

“COVID-19 e ka ndryshuar këtë narrativë”, ka shtuar ai.

Studiuesit të cilët ishin pjesë e këtij projekti pajtohen se rritja e nivelit të lirimit të gazeve serrë më 2021 është pothuajse e sigurt. Për ta zvogëluar rritjen e nivelit të karbonit në ajër, shkencëtarët kërkojnë një reagim “të gjelbër” kundrejt atij “kafe”, që do të thotë se fondet e rikuperimit duhet të shpenzohen në projekte të qëndrueshme, e jo në karburante fosile.

Ata argumentojnë se duhen bërë gjithashtu përpjekje të shumta për t’i nxitur njerëzit që të ecin e të përdorin biçikleta në qytete dhe që të krijohen shpejt makinat elektrike. Përderisa rënia e 2020-s është e mirëseardhur, shkencëtarët kanë thënë se për t’u përmbushur qëllimet e Marrëveshjes Klimatike të Parisit duhet që çdo vit të ketë së paku dy miliardë tonë më pak gaze serrë gjatë dekadës së ardhshme.

“Ndonëse emetimet globale nuk ishin aq të larta sa vitin e kaluar, ato përsëri e arritën shifrën prej rreth 39 miliardë tonë dyoksid karbon dhe kanë ndikuar pashmangshëm në rritjen e nivelit të CO2-shit në atmosferë”, ka thënë studiuesi kryesor, profesori Pierre Friedlingstein, nga Universiteti i Eksterit në Mbretërinë e Bashkuar. “Niveli atmosferik i dyoksidit të karbonit, dhe si pasojë edhe klima e botës, do të stabilizohet vetëm kur lirimi global i dyoksidit të karbonit do të jenë afër zeros”. Studimi është publikuar në revistën “Earth System Science Data”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat