Burri 29 vjeç nga Nepali vdes nga Covid pas infektimit të 5 mijë punëtorëve.
Kompania më e madhe e dorezave të gomës Top Glove në Malajzi ka raportuar të hënën se një nga punonjësit e vet ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid, raporton “Independent”.
Kjo vjen pasi më shumë se 5 mijë punotrë të Top Glove testuan pozitiv për Covid-19 gjatë shpërthimit të infektimeve në fabrika.
Kompania tha përmes një komunikate në email se 29 vjeçi nga Nepali vdiq si pasojë e pneumonisë.
Kompania u bë e vetëdijshme për shifrat e larta të të infektuarve gjatë nëntorit. Kjo ndodhi kur para kthimit në shtëpitë e tyre për festa, mbi 5 mijë punëtorë të fabrikës testuan pozitiv për koronavirus duke e bërë pikën e infeksionit më të madhe në Malajzi.
Për shkak të kësaj qeveria ka vendosur kontroll strikt të lëvizjes dhe ka urdhëruar kompaninë të mbyllë fabrikën dhe të ndihmoj me masat e karantinimit.
Punëtorët janë shprehur se ata nuk ishin të urdhëruar të mbajnë distancë gjatë punës. Ata thanë se është e vështirë të bësh këtë, e sidomos gjatë paketimit të dorezave.
Ata thanë se shpesh ishin të mbledhur në grupe deri në 20 veta. Tani kompania ka konkluduar se 94% e stafit është në gjendje të mirë për të rifilluar punën.
16 nga 28 fabrikat ishin plotësisht të ndaluara nga puna, ndërsa 12 të tjera vazhduan punën. Në përgjigje për shpërthimin e infektimeve Top Glove tha se siguria dhe mirëqenia e punëtorëve dhe komunitetit lokal ishte prioritet i tyre.
Fitimet e kompanisë janë rritur për rreth 310% në krahasim me vitin e kaluar si shkak i nevojës së madhe për mjete të mbrojtjes, si pasojë e Covid-19.