Vaksina kundër koronavirusit ka mbërritur në Arabinë Saudite, konfirmoi ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Tawfiq al-Rabiah.
Ai tha se dërgesat e para kanë arritur mëngjesin e së mërkurës, ndërsa shpërndarja e tyre do të nisë në tre ditët e ardhshme.
Al-Rabiah u bëri thirrje qytetarëve që të regjistrohen për marrjen e vaksinës.
Ai tha se vaksina do të jetë pa pagesë për të gjithë.
Ministri nuk e specifikoi se sa doza kanë arritur dhe as për cilën vaksinë bëhet fjalë.
Javën e kaluar, autoritetet shëndetësore saudite kanë miratuar vaksinën Pfizer/BioNTech për importim dhe përdorim.
Kjo vaksinë ka nisur tashmë të jepet në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Pfizer/BioNTech është një bashkëpunim midis gjigantit farmaceutik amerikan, Pfizer, dhe kompanisë gjermane të bioteknologjisë, BioNTech, dhe ofron mbrojtje deri në 95%.
Aktualisht, janë në zhvillim e sipër ose janë zhvilluar edhe disa vaksina të tjera nga kompani si Moderna, apo Universiteti i Oxfordit.
Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar - kryesisht të moshuarit./REL