OBSH thotë se nuk ka nevojë për “alarm të madh”, pas shfaqjes së variantit të ri të coronavirusit

Bota

OBSH thotë se nuk ka nevojë për “alarm të madh”, pas shfaqjes së variantit të ri të coronavirusit

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 20:12
Foto ilustrim

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi kundër alarmit të madh për një variant të ri, shumë infektiv të coronavirusit që është shfaqur në Britani të Madhe, duke thënë se kjo ishte një pjesë normale e evolucionit të një pandemie.

Sipas Reuters, zyrtarët e OBSH-së madje panë “një dritë pozitive” në zbulimin e llojeve të reja që nxitën një mori vendesh të alarmuar të vendosnin kufizime të udhëtimit në Britani dhe Afrikën e Jugut, duke thënë se mjetet e reja për të ndjekur virusin po funksiononin.

“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.

“Të jesh në gjendje të gjurmosh një virus nga afër, me kujdes, kjo shkencërisht në kohë reale është një zhvillim i vërtetë pozitiv për shëndetin publik global, dhe vendet që bëjnë këtë lloj vëzhgimi duhet të vlerësohen”.

Duke cituar të dhëna nga Britania, zyrtarët e OBSH-së thanë se nuk kishin asnjë provë që varianti i bënte njerëzit më të sëmurë ose ishte më vdekjeprurës sesa llojet ekzistuese të COVID-19, megjithëse duket se u përhap më lehtë.

Vendet që imponojnë ndërprerje udhëtimesh po vepronin nga një “bollëk kujdesi” ndërsa vlerësonin rreziqet, tha Ryan, duke shtuar: “Kjo është e matur. Por është gjithashtu e rëndësishme që të gjithë ta pranojnë që kjo ndodh, ndodhin këto variante”.

Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë vaksinat e zhvilluara për të luftuar COVID-19 duhet të trajtojnë edhe variantet e reja, megjithëse ishin në proces kontrollet për të siguruar një gjë të tillë.

OBSH tha se pret të marrë më shumë detaje brenda ditëve ose javëve mbi ndikimin e mundshëm të llojit të ri shumë të transmetueshëm të coronavirusit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat