Guvernatori i Bankës Qendrore Iraniane ka njoftuar se amerikanët kanë rënë dakord që Irani të blejë vaksinën anticovid. Ai tha se një bankë iraniane kishte marrë mbështetje nga Thesari amerikan, për të transferuar paratë në një bankë zvicerane për të paguar për vaksinat anticovid. Lajmi ndërkaq nuk ka marrë konfirmim nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Irani ka siguruar këtë të premte një aprovim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të transferuar fonde për vaksinat e koronavirusit, ka njoftuar shefi i bankës qendrore iraniane. Guvernatori i Bankës Qendrore Abdolnaser Hemmati tha se një bankë iraniane kishte marrë mbështetje nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja të Thesarit amerikan, për të transferuar paratë në një bankë zvicerane për të paguar për vaksinat anticovid. Lajmi ndërkaq nuk ka marrë konfirmim nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve.
“Amerikanët kanë vendosur sanksione mbi të gjitha bankat tona. E pranuan këtë rast nën presionin e opinionit publik botëror, ”tha guvernatori për televizionin shtetëror iranian. Hemmati tha se Irani do të paguante gati 244 milion dollarë për importet fillestare të 16.8 milion doza vaksinash.
Irani është një nga vendet më të prekura prej Coronavirusit në Lindjen e Mesme, ku deri më tani numëron 54,308 të ndarë nga jeta.
Ndërsa ka filluar vaksinimi në vende të ndryshme të botës, mediet europiane shkruajnë se tek iranianët ekziston shqetësimi në rritje se ata mund të lihen pas. Ata kanë frikë nga sanksionet amerikane, ku disa i konsiderojnë si dështim të politikës vendase për t’i dhënë përparësi mirëqenies së qytetarëve.
Iranianët, përfshirë punonjës të shumtë të shëndetit, kanë bërë thirrje nëpër medie sociale që udhëheqësit të marrin masa e të gjejnë mënyrën për të blerë vaksina kundër Coronavirusit. Presidenti në detyrë Donald Trump rivendosi sanksione të forta ndaj Iranit, në 2018-ën, pasi tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore shumëpalëshe.