Personi i parë që u vaksinua me Pfizer/BioNTech, mori dozën e dytë

Bota

Personi i parë që u vaksinua me Pfizer/BioNTech, mori dozën e dytë

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 22:10
Margaret Keenan, personi i parë në botë që ka marrë vaksinën kundër koronavirusit, Pfizer/BioNTech.

Personi i parë në botë që mori vaksinën kundër koronavirusit Pfizer/BioNTech, mori të martën dozën e dytë.

Margaret Keenanit iu dha doza e dytë në një spital të qytetit Koventri të Mbretërisë së Bashkuar, tri javë pas dozës së parë.

Dy doza të vaksinës kërkohen për të arritur imunitetin e plotë.

Keenan e ka marrë dozën e parë më 8 dhjetor, një javë para ditëlindjes së saj të 91-të, dhe e ka përshkruar atë si “dhuratën më të mirë për ditëlindje”.

Shefi ekzekutiv i spitalit, Andy Hardy, tha se stafi është i lumtur që ka mirëpretur sërish zonjën Margaret.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin me Pfizer/BioNTech.

Pas saj kanë nisur edhe vende të tjera, si SHBA-ja dhe Kanadaja.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë nisur më 27 dhjetor imunizimin.

Përparësi në vaksinim tash për tash kanë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat