Kompania gjermane BioNTech e cila së bashku me firmën amerikane të ilaçeve Pfizer, krijuan vaksinën kundër coronavirusit, ka thënë se pret të prodhojë 2 miliardë doza këtë vit.
Sipas BBC, vaksina e Pfizer-BioNTech është miratuar në Mbretërinë e Bashkuar, në SHBA në BE, si dhe në disa vende të tjera të botës.
“Besojmë tani se mund të shpërndajmë potencialisht 2 miliardë doza në total, deri në fund të vitit 2021”, kompania tha të hënën.
Shifra e re përfshin udhëzime të azhurnuara që gjashtë doza mund të nxirren nga secila shishe e vaksinës së coronavirusit, në vend të pesë dozave të deklaruara fillimisht në etiketim.
Projeksioni i sotëm shënon një rritje të konsiderueshme nga 1.3 miliard doza që ishin paralajmëruar më parë.
Ndryshe, që nga shpërthimi i pandemisë janë regjistruar 90 milionë raste nga coronavirusi, derisa numri i viktimave u rrit në 1.9 milion.