Sipas një grupi ligjvënësish britanikë, demokracitë kryesore perëndimore duhet të formojnë një koalicion për të kundërshtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina në vend dhe mbështetjen e saj për autoritarizmin jashtë vendit. ‘Grupi i Hulumtimeve Kineze’ thotë se Britania ka shumë nevojë për një politikë koherente ndaj Kinës - dhe ka botuar së fundmi një raport ku parashtron një sërë rekomandimesh për politikat që duhen përdorur ndaj Kinës.
Më shumë se 50 aktivistë pro-demokracisë u arrestuan në fillim të këtij muaji në Hong Kong - goditja e fundit e Pekinit ndaj lirive politike. Si mund t'i përgjigjen demokracitë perëndimore sfidës së një Kine gjithnjë e më të rreptë në qëndrimet e saj?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, disa ligjvënës konservatorë britanikë kanë ngritur grupin ‘Hulumtime për Kinën’. Tom Tugendhat, kryetari i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, është bashkë-themelues i grupit.
"Po përpiqemi të inkurajojmë Kinën të ndryshojë brenda rregullave të sistemit ndërkombëtar, në mënyrë që populli kinez të ketë mundësitë që meriton dhe që pjesa tjetër e botës të mos kërcënohet," thotë Tom Tugendhat.
Është një betejë me ndikime globale, thotë analisti Steve Tsang.
"Nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut, Kina është e interesuar të zgjerojë dhe mbështesë autoritarizmin në botë. Pra, ka një farë konkurrence mes dy ideve të ndryshme: demokracive liberale dhe autoritarizmit të mbështetur nga kinezët”, thotë analisti.
Mes politikave të rekomanduara nga grupi janë formimi i një koalicioni nga dhjetë demokracitë kryesore për të barazpeshuar ndikimin kinez dhe vendosja e sanksioneve ndaj individëve kinezë të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Ne jemi në dijeni të sterilizimeve dhe ndalimeve masive dhe në fakt skllavërimit të muslimanëve ujgurë; jemi në dijeni të persekutimeve të mongolëve e tibetianëve; tani shohim shumë qartë edhe shtypjen e të drejtave demokratike në Hong Kong. Për të gjitha këto çështje duhet të vendosen sanksione", thotë Tom Tugendhat.
Grupi rekomandon gjithashtu një zbatim më të rreptë të detyrimeve ligjore për bankat e huaja dhe institucionet financiare për të parandaluar gërryerjen e autonomisë së Hong Kongut. Por Perëndimi ka një forcë të kufizuar, argumenton Tsang.
“Ne po vëzhgojmë disa nga institucionet kryesore bankare dhe financiare perëndimore. Do të jenë ata që do të dëmtohen, shumë më tepër sesa vetë shteti kinez".
Kina është partneri më i madh tregtar për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
"Në të vërtetë nuk është tregti e ndershme. Mund të jetë vjedhje e pronës intelektuale, apo grabitje e pasurive", thotë Tom Tugendhat.
Por çdo politikë e rekomanduar, do të ketë ndikim të pjesshëm – ndërkohë që demokracitë globale duhet të fitojnë betejën e ideve, argumenton Tsang.
"Nëse nuk mund ta fitojmë argumentin me realitetin në vendet demokratike, atëherë nuk do të jemi në gjendje të konkurrojmë me qasjen e Kinës për të mbështetur autoritarizmin", thotë profesor Tsang.
Si kundërpeshë ndaj kësaj mbështetjeje, Grupi Hulumtues për Kinën dëshiron që Britania dhe aleatët e saj të shkojnë edhe më tej në ushtrimin e mekanizmave që kanë në dispozion kundër Pekinit./VOA