Udhëheqësit botërorë i dërguan urimet e tyre Joe Bidenit pas inaugurimit të tij të mërkurën si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, shumë aleatë e kanë mirëpritur veçanërisht vendimin e tij për t'u ribashkuar me marrëveshjen e Parisit për klimën.
Pas katër vjet marrëdhëniesh të trazuara transatlantike, presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian ofroi një urim të ngrohtë për Presidentin Joe Biden.
“Edhe një herë pas katër viteve të gjata, Evropa ka një mik në Shtëpinë e Bardhë. Nga ndryshimi i klimës tek shëndeti, nga digjitalizimi tek demokracia - janë këto sfida globale që kanë nevojë për bashkëpunim të përtërirë dhe të përmirësuar global”, tha Ursula von der Leyen.
Kryeministri britanik Boris Johnson kishte një marrëdhënie më të ngrohtë me ish-Presidentin Trump. Por zoti Johnson tha të mërkurën se ai dhe Presidenti Biden ‘kanë një plan të përbashkët pune’.
“Është diçka fantastike për Amerikën. Është një hap përpara për vendin, që ka kaluar një periudhë të vështirë”.
Pati festime në Kosovë - ku një rrugë mban emrin e djalit të ndjerë të Joe Biden, Bo Biden, i cili punoi atje me Departamentin amerikan të Drejtësisë pas luftës së vitit 1999.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Azi-Paqësorit gjithashtu mirëpritën administratën e re amerikane.
"Kemi shumë punë për të bërë së bashku, qoftë për klimën, energjinë, sigurinë ndërkombëtare dhe, më e rëndësishmja, sigurinë rajonale këtu në Indo-Paqësor", tha kryeministri Australian Scott Morrison.
Kryeministri i Japonisë i bëri jehonë homologut të tij australian.
"Shpresoj të bashkëpunoj ngushtë me presidentin e ri për të patur një rajon të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor", tha kryeministri japonez Yoshihide Suga.
Është kjo një referencë e qartë për kërcënimin që vjen nga Kina në rajonin e Indo-Paqësorit.
Në Pekin, një thirrje për rivendosjen e marrëdhënieve me Uashingtonin.
"Shpresojmë që qeveria e re amerikane ta shohë Kinën dhe marrëdhëniet tona në një mënyrë objektive dhe racionale", tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying.
Të mërkurën Kina vendosi sanksione mbi ish Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe dhjetra zyrtarë të tjerë të administratës Trump.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të zotit Biden i quajti sanksionet ‘joproduktive dhe cinike’, një përgjigje që disa analistë thonë se nuk është për t’u habitur.
"Administrata e ardhshme do të mbajë gjithashtu një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Është një fushë ku mendoj se do të kemi një marrëveshje dypalëshe për këtë qasje. Por përsëri, do të ketë një angazhim më të afërt me aleatët për ta bërë këtë", thotë Julie Norman, analiste sigurie në Universitetin College në Londër.
Ndërkohë udhëheqësi i Iranit tha se e ardhmja e marrëveshjes bërthamore 2015 ‘ishte në dorën e Bidenit’. Presidenti amerikan ka thënë se dëshiron ta ribashkojë Uashingtonin në marrëveshje nëse Teherani përmbush angazhimet e tij.
Ambasadori i Rusisë në Sh.B.A e quajti inaugurimin e Presidentit Biden një kapitull të ri në marrëdhëniet me Uashingtonin. Nga Presidenti Vladimir Putin nuk ka patur ndonjë reagim zyrtar./VOA