Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se vendbanimet e çliruara së fundmi nga pushtimi i Armenisë do të rindërtohen bazuar në konceptin e “qyteteve dhe fshatrave të mençur”.
Presidenti Aliyev deklaratat e tij i bëri gjatë një bisede përmes video-lidhjes me Resat Nebiyev, të cilin e emëroi si ministër të Transportit, Komunikimit dhe Teknologjisë.
Presidenti azer tha se në punën e rindërtimit, që do të fillojë së shpejti, do të përdoret teknologji moderne dhe se projektet e infrastrukturës urbane do të realizohen paralelisht me operacionet e pastrimit të rajonit nga minat dhe eksplozivat e improvizuara.
Aliyev tha se në rajon ka mjaft burime ujore dhe të energjisë diellore, duke shtuar se, “Është e nevojshme të përfshihen investitorë të huaj dhe të krijohen mundësi për ndërmarrjet vendase. Tokat e rikuperuara duhet të jenë zona të zhvillimit të teknologjisë së lartë”.
Ai po ashtu bëri thirrje për përdorimin e energjisë moderne në bujqësi.