Putin e nënshkruan zgjatjen e Traktatit të Armëve Bërthamore me SHBA-në

Bota

Putin e nënshkruan zgjatjen e Traktatit të Armëve Bërthamore me SHBA-në

Më: 29 janar 2021 Në ora: 20:27
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të premten ligjin për zgjatjen deri në pesë vjet të afatit të traktatit për kontrollimin e armëve bërthamore, ujdi kjo e fundit e këtij lloji midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kremlini zyrtar ka njoftuar se zgjatja do të hyjë në fuqi kur dy palët t’i përfundojnë procedurat e brendshme. Nënshkrimi është bërë pasi që Dhoma e Ulët dhe ajo e Lartë e Parlamentit rus votoi për ratifikimin e zgjatjes gjatë së enjtes.

Ujdia e nënshkruar në vitin 2010 dhe që do të skadojë javën e ardhshme përbën një arritje të konsiderueshme për kontrollimin dhe kufizimin e numrit të armëve strategjike bërthamore, raketave dhe bombarduesve që Rusia dhe SHBA-ja mund t’i posedojnë. Çështja ishte diskutuar edhe gjatë telefonatës së fillimit të javës midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus.

Në këtë bisedë, Biden i kishte kërkuar Putinit edhe lirimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny. Ndërsa ishte diskutuar edhe për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2020, sovranitetin e Ukrainës dhe sulmin kibernetik “SolarWinds”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat