Burundi është bërë shteti i dytë afrikan që thotë se nuk ka nevojë për vaksina kundër sëmundjes Covid-19, ndonëse në këtë kontinent kanë filluar të arrijnë dozat e para.
Ministri i Shëndetësisë në Burundi, Thaddee Ndikumana, tha para gazetarëve të enjten të mbrëmje se parandalimi është më i rëndësishëm se vaksinimi. “Pasi mbi 95 për qind e pacientëve janë duke u shëruar, ne vlerësojmë se vaksinat ende nuk janë të nevojshme”, tha ai.
Ministri e dha këtë deklaratë përderisa po e jepte njoftimin për masat e reja kundër pandemisë. Burundi i mbylli kufijtë tokësorë dhe ujorë muajin e kaluar. Deri më tani ka mbi 1.600 raste me Covid-19, shkruan The Guardian.
Një shtet fqinj i Burundit, Tanzania, këtë javë tha se nuk ka plane që ta pranojë vaksinën kundër Covid-19 pasi presidenti i këtij vendi, John Magufuli, shprehu dyshime për to. Ai këmbënguli se Tanzania e ka mposhtur virusin kohë më parë me ndihmën e Zotit.
Sidoqoftë, Tanzania është kritikuar nga Qendra Afrikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje këtij vendi që të bashkëpunojë në fushatën për vaksinim.