Bllokimet e zgjatura për shkak të Covid-19, kanë shkaktuar një larmi ndjenjash. Dhe këto emocione nuk kanë vetëm një karakter individual, por edhe një përmasë të rëndësishme kolektive. Gati në çdo rrëfim të shkëlqyeshëm të epidemive të dikurshme – nga ajo e Tukididit, tek ato të Xhovani Bokaçio dhe Albert Kamy- frika, mosbesimi dhe pasiguria, kanë qenë triada klasike e emocioneve kolektive.
Por muajt e fundit, një larmi emocionesh duket se e kanë dominuar jetën publike. Zemërimi – shpesh në formën e tij më radikale, tërbimin – duket se do të jetë vendimtar në muajt e ardhshëm si një shkak i veprimit politik por edhe si një burim kënaqësie.
Gjatë viteve të fundit, shumë ekspertë janë përpjekur që ta zhvendosin vëmendjen tonë tek problemi i zemërimit në jetën publike. Kohët e fundit, Pankaj Mishra eksploroi “një klimë të veçantë idesh, një strukturë të ndjenjës dhe prirjes njohëse, nga epoka e Zhan Zhak Rusosë, deri tek epoka jonë e zemërimit”.
Megjithatë, zemërimi që nga fillimi i tij ka qenë pjesë e kodit të kulturës perëndimore. “Këndo Perëndeshë, këndo nga tërbimi i Akilit”- fillon Iliada. Por ka kaluar një kohë e gjatë qëkur shpërthimet e tërbimit në jetën politike ishin kaq shumë pasionante, kaq të shfaqura haptazi dhe aq të ndara siç janë sot në shumë vende.
Dikush mund të tregojë këtu shpërthime të ndryshme të zemërimit, që nga protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, tek protestat në mbrojtje të të drejtave të grave në Poloni, dhe kryengritja e fundit në Kapitol Hill në SHBA.
Ndonëse ekzistojnë dallime të forta ideologjike midis këtyre lëvizjeve, që të gjitha ato duket se janë forcuar nga e njëjta përvojë:muajt e shumë të zhgënjimit, zbrazëtisë dhe humbjes së mënyrës normale të jetesës,që ka sjellë kriza e koronavirusit. Është e habitshme se sa anëtarët të Kongresit Amerikan e vunë theksin tek zemërimi publik gjatë fjalimeve të tyre në përpjekje për të fajësuar ish-presidentin Donald Trump.
Një leksion i hershëm për këtë vit, është se ai do të diktohet nga zemërimi pandemik. Kjo mund të jetë zhgënjyese për shumëkënd, duke pasur parasysh shpresat e tyre të mëdha se ky vit do të ishte më i mirë sesa 2020-a. Gjithsesi, mbështetësit e presidentit Xhio Bajden, kanë arsye të ndjejnë një farë lehtësimi.
Populistët anti-liberalë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë aktualisht në pozita komode. Por siç e kanë theksuar me të drejtë Kas Mud dhe Jakub Vondrejs, zgjedhjet presidenciale amerikane, provuan se liberalët mund të fitojnë edhe në kohë epidemike.
Disa optimistë në vendin tonë, Poloni, kanë filluar të shpresojnë se fitorja e Bajden, mund të jetë fillimi i një tendencë më të gjerë. Psikologia Keit Suini thotë se përbërësi kryesor i ndjenjës së lehtësimit është një shpërthim i hormonit të endorfinës, një ndjenjë lumturie apo edhe euforie se e keqja ka mbaruar.
Ky është një mekanizëm i rëndësishëm nga pikëpamja evolucionare, pasi u jep mundësi njerëzve që të kujtojnë situatat më emergjente, dhe të mësojnë se si të veprojnë në mënyrë që t’i shmangim ato në të ardhmen. Por ky mekanizëm mund të shkaktojë ndonjëherë konfuzion.
Në fillim të vitit 2021, është joshëse të besojmë se më e keqja është tashmë pas nesh, pasi Trump humbi zgjedhjet, dhe një shpresë e re është shfaqur në formën e vaksinave kundër Covid-19.
Megjithatë historia e pandemive të së kaluarës, na tregon se momente të tilla të euforisë kolektive, janë një pjesë e pashmangshme e përhapjes globale të një sëmundje. Pas valës së dytë të pandemisë së gripit spanjoll 1918-1920, pati shenja të një relaksimi kolektiv. Gripi erdhi dhe shkoi, ashtu si lija apo murtaja, dhe pas çdo vale, kishte shumë shpresë që ajo të mos rikthehej më. Për shembull, me gjithë sukseset e hershme të vaksinave kundër lisë në Evropën e shekullit XIX, sëmundja vrau 500.000 njerëz të tjerë gjatë rikthimit të fundit të madh midis viteve 1870-1875, të shkaktuar nga lufta Franko-Prusiane.
Vala e fundit ishte tronditëse për shumë njerëz. Sot, është duke u bërë gjithnjë e më e dukshme, se viti 2021 do të shohë më tepër një vazhdim të krizës sesa një fund të saj. Dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me koronavirusin por edhe me emocionet në politikë. Populistët nuk e kanë humbur aftësinë e tyre për të komunikuar me emocione të forta kolektive.
Një shembull është kryengritja në Kapitolin Hill. Duke iu drejtuar publikut para se t’i bllokohej qasja në rrjetet sociale, Trump tregoi edhe një herë aftësinë e tij për të rrokur atë që po ndodh në sferën emocionale, dhe t`a përdorur atë për të ndezur një zjarr më të madh.
Grekët e lashtë besonin se emocionet nuk prodhohen në psikikat tona individuale, por vijnë nga jashtë, si forca të pa rezistueshme.
Dhe koncepti se ndjenjat po na pushtojnë si forca të padukshme është ende sot i rëndësishëm. Duket se vetëm Zotat kanë ndryshuar. Emocionet tona vijnë shpesh nga mediat sociale. Ato ndërtohen shpejt, shkarkohen dhe zhduken po aq shpejt. Kjo përbën një sfidë serioze për mbrojtësit e demokracisë liberale në vitin 2021.
Liberalët shpesh hezitojnë t’i përdorin emocionet në politikë. Por ata duhet t`a pranojnë se të kuptuarit e strukturës emocionale që qëndron në themelin e politikës së përditshme, mund t’i ndihmojë në krijimin e një mesazhi politik bindës. Gjuha e zjarrtë nuk ka pse të zhvlerësojë argumentet e arsyeshme. Sidoqoftë, nëse instrumentet ligjore përdoren vetëm për t’iu përgjigjur zemërimit me inat, kjo nuk do të ketë pasoja pozitive për komunitetin politik. / “European Council on Foreign Relations” – Bota.al