Njëri nga tre të dyshuarit për vrasjen e gazetares hulumtuese Daphne Caruana Galizia në Maltë në vitin 2017 është dënuar me 15 vjet burgim, pasi i njëjti është deklaruar fajtor.
Vincent Muscat pranoi përfshirjen e tij në vendosjen e bombës në makinë që e vrau gazetaren.
Shumë dyshojnë se një gjë e tillë ishte urdhëruar nga figurat më të larta shtetërore të Maltës.
E njohur si “Gruaja e Wikileaks”, Caruana Galizia ka zbuluar rrjete të korrupsionit në vend dhe jashtë tij.
Muscat e ka ndryshuar deklaratën e tij, në seancën e të martës, në një kthesë dramatike të ngjarjeve dhe ka pranuar që të japë informacione për vrasjen. Ai duhet gjithashtu të paguajë 51,000 dollarë për shpenzimet gjyqësore.
Dy të dyshuarit e tjerë, vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio, ishin gjithashtu të pranishëm në sallën e gjyqit, por nuk janë deklaruar. Ata kanë qëndruar në deklarimet e mëhershme se janë të pafajshëm.
Të tre akuzoheshin për planifikimin e atentatit dhe vendosjen e bombës që ka vrarë Caruana Galizia afër shtëpisë së saj në tetor të vitit 2017. Ata ishin arrestuar në muajin dhjetor të po këtij viti.