Të paktën 14 vetë kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar nga rrëshqitja e dheut në pjesën verilindore të Afganistanit, bënë të ditur sot autoritetet lokale.
Sipas organeve kompetente, viktimat ishin punëtorë në një minierë ari, njoftoi DPA.
“Orteku i borës dhe baltës u shemb në provincën malore Badakshan, në një zonë të kontrolluar nga talebanët militantë islamikë”, deklaroi një zëdhënës i guvernatorit të provincës.
Sipas tij, forcat e sigurisë dhe zyrtarët qeveritarë nuk mund të mbërrijnë në vendin e ngjarjes për shkak të paarritshmërisë së terrenit, duke shtuar se guvernatori do t’u sigurojë ndihmë familjeve të viktimave.
Në Afganistan çdo dimër dhjetëra njerëz i humbin jetët e tyre për shkak të reshjeve të mëdha të borës, pasi ka mungesë të pajisjeve dhe forcave të shpëtimit për të shpëtuar viktimat pas rrëshqitjes së tokës.