Kryetari i Parlamentit, njëherësh ish-presidenti i ishujve Maldive, Mohamed Nasheed, është në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, nga plagët që ka marrë si pasojë e një sulmi me bombë afër shtëpisë së tij.
Raportohet se Nasheed, 53-vjeçar, është duke u trajtuar në kujdes intensiv pas shpërthimit që ndodhi të enjten në kryeqytetin e Maldives, Male, derisa ai ishte gati të hynte në veturën e tij.
Dy nga truprojat e tij dhe dy kalimtarë të rastit, përfshirë një britanik, kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi po ashtu.
Oficerët policorë kanë deklaruar se janë duke u përpjekur të identifikojnë katër të dyshuar në lidhje me shpëthimin ndërkohë që ende nuk ka ndonjë të arrestuar.
Shpërthimi është shkaktuar nga një pajisje e ngjitur në një motoçikletë të parkuar afër veturës së Nasheed, raportojnë mediat lokale.
Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e shpërthimit i cili ka shfaqur shqetësimet për sigurinë në pjesën e Oqeanit Indian i cili është i njohur si një prej pjesëve më atraktive turistike në botë.