Një shpërthim vullkanik që ka qenë duke u zhvilluar në Islandë për më shumë se 50 ditë po ofron një spektakël të ri mbresëlënës.
Periudhat e qetësisë të ndjekura nga gejzera gjigante të lavës, qindra metra të larta, mund të shihen nga kryeqyteti Reykjavik rreth 40 kilometra larg, shkruan Euronews.
Po ashtu është vendosur rrethimi i sigurisë për të ndaluar vëzhguesit kuriozë të goditen nga fragmente të nxehta shkëmbi.
Shpërthimi, që së shpejti do të quhet zyrtarisht “Fagradalshraun”, po tërheq vizitorë nga e gjithë bota.
“Në të vërtetë, është shumë e vështirë të përshkruhet sepse në fotografi ose në filma, nuk mund të ndjesh vërtet ngrohtësinë e vullkanit. Është e mahnitshme sa e ngrohtë është edhe nëse është kaq shumë metra larg nga këtu. Tingujt, janë një përvojë absolutisht intensive”, tha turisti gjerman, Benjamin Berglez.
Një spektatore tjetër, Henrike Wappler, foli për “fuqinë e tokës”.
“Ndihem e vogël aq afër kësaj fuqie, por nuk kam frikë”, shtoi ajo.
Në mbrëmje mund të shihen drita të ndritshme portokalli nga dhjetra kilometra larg.
Shpërthimi, i cili filloi në 19 Mars, është i jashtëzakonshëm në shumë mënyra: kanë kaluar më shumë se tetë shekuj që kur lava ka rrjedhur në gadishullin Reykjanes dhe gati 6,000 vjet që kur ka pasur një shpërthim.