Komanda e forcave të armatosura të Izraelit, ka konfirmuar se forcat ajrore izraelite në orët e para të mëngjesit kanë kryer një sërë sulmesh në disa lokacione në qytetin e Gazës, ku si pasojë janë shkatërruar 15 kilometra tunele që përdoren nga anëtarët e Hamasit si strehimore dhe korridore për transportimin e armëve.
Edhe banorët e Gazës kanë konfirmuar se në orët e mëngjesit janë zgjuar nga shpërthimet e fuqishme – që po cilësohen si sulmet më të ashpra që kur kanë rifilluar luftimet javën e kaluar mes anëtarëve të Hamasit dhe ushtrisë izraelite.
Siç raporton AP, janë bërë rrafsh me tokë tri ndërtesa tjera, duke mos dhënë informata për numrin e viktimave apo dëmet materiale të shkaktuara.
Kryetari i Gazës, Jahja Sarage, ka konfirmuar se situata në qytet dita ditës po përkeqësohet – duke paralajmëruar që në territoret e Palestinës po mungojnë derivatet si dhe nga 12 orë lagje të tërë po mbesin pa energji elektrike.