Eskalon Erdogan me akuza ndaj Izraelit, ja si e quan

Bota

Eskalon Erdogan me akuza ndaj Izraelit, ja si e quan

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 19 maj 2021 Në ora: 13:32
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

Luftimet midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas po vazhdojnë. Ndërkohë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po e ndezë më tej konfliktin në mënyrë që të portretizojë veten si një udhëheqës Islamik dhe të sigurojë mbështetjen e tij të brendshme politike.

Ndërsa shumë krerë të shteteve dhe qeverive paraqiten në mënyrë sa më diplomatike që të jetë e mundur, në lidhje me përshkallëzimin në Izrael dhe po ashtu u bëjnë thirrje të dy palëve të de- eskalojnë konfliktin , kurse Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka marrë një qëndrim të qartë: Siç ka qenë shpesh rasti i kohëve të fundit në të kaluarën, Presidenti turk e përshkruan Izraelin si një "shtet terrorist" dhe "të pamoralshëm". Çdo ditë e më shumë Erdogani vjell vrerë jo vetëm kundër shtetit të izraelit, po dhe kundër aleatëve të tij: Erdogani tani ka reaguar gjithashtu kundër qëndrimit të Austrisë sepse flamujt e Izraelit po valëviteshin në ndërtesat qeveritare në Vjenë . "Unë e mallkoj shtetin austriak", tha Erdogan.

Fakti që presidenti turk simpatizon palën tjetër në konflikt, organizatën radikale terroriste islamike Hamas dhe mban kontakte të ngushta me ta, nuk është asgjë e re. Sidoqoftë, kohët e fundit është përhapur përshtypja në opinionin turk se Ankaraja po fillon një kurs afrimi me Izraelin. Sepse pavarësisht devijimeve të shumta retorike që Erdogan rregullisht i paraqet kundër Izraelit, bisedat për afrim kohët e fundit janë zhvilluar gjithnjë e më shpesh. Tregtia gjithashtu është rritur - eksportet në Izrael janë rritur vazhdimisht në vitet e fundit.

Fundi i afrimit

Sinan Ülgen, kreu i Qendrës për Studime Ekonomike dhe të Politikës së Jashtme (EDAM) në Stamboll, gjithashtu ka vërejtur se shenjat e pajtimit kohët e fundit po tregojnë për një afrim. Ankaraja kohët e fundit është përpjekur të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin. "Shkallëzimi dhe tensionet në Jeruzalemin Lindor nuk mund të kishin ardhur në një kohë më të keqe për Turqinë ," tha Ülgen.

Shumë vëzhgues, përfshirë Ülgen, madje supozojnë se Ankaraja u përpoq të vepronte si një ndërmjetës midis Izraelit dhe Palestinës. Bisedimet u mbajtën rregullisht jo vetëm me Knesset, por edhe me udhëheqjen palestineze. Në shtator 2020, për shembull, përfaqësuesit e dy organizatave kryesore palestineze Fatah dhe Hamas u takuan - me ndërmjetësimin e qeverisë turke - për të zgjidhur mosmarrëveshjen pesëmbëdhjetë vjeçare midis dy organizatave.

Ankara dëshiron ta udhëheq botën islamike

"Ndërmjetësimi aktiv midis Hamasit dhe Izraelit dhe vendosja e një dialogu do të kishte qenë një iniciativë me vlerë të shtuar shumë të lartë për Turqinë," përfundoi Ülgen. Por tani që Erdogan ka filluar një fushatë anti-Izraelite, është e vështirë të vazhdosh këtë proces. "Në këtë mjedis, në të cilin tensionet janë në nivelin më të lartë, duket gjithsesi e pamundur të fillosh negociata të reja paqësore, si dhe për të marr një pozicion neutral ndaj tensioneve midis Izraelit dhe Palestinezëve", thotë Oytun Orhan i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme ”.

Në këtë moment të kohës, Ankaraja nuk mund të ishte më larg rolit të ndërmjetësit. Qeveria turke duket se ka synuar një rol krejt tjetër: Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavusoglu iu drejtua Organizatës për Bashkëpunim Islam (OIC), së cilës i përkasin 56 vende myslimane, duke nënvizuar funksionin e modelit të Turqisë. "Komuniteti Islam (Ummah) pret udhëzim nga ne". Ajo që synohet është veprim i qëndrueshëm kundër qeverisë izraelite, e cila, sipas Ministrit të Jashtëm turk, po promovon "spastrimin etnik, fetar dhe kulturor".

Analisti turk i politikës së jashtme Aydın Sezer nuk është i befasuar që partia konservatore islamike në pushtet AKP preferon të hedhë benzin në zjarr. Erdogan gjithmonë është duke u përpjekur për të kënaqur bazën islamike të partisë së tij. "Qeveria duhej të reagonte kështu (në këtë konflikt) - kryesisht për arsye të politikës së brendshme." Normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin nuk u prit mirë nga baza e AKP, tha Sezen.

Ankaraja: E izoluar në aspektin e politikës së jashtme

Presidenti turk shpesh i drejtohet retorikës fetare ose nacionaliste për të mobilizuar elektoratin e tij kryesor. Sondazhet tregojnë se Erdogan dhe AKP e tij, kanë humbur kohët e fundit shumë popullaritet në mesin e popullatës. Opozitarët dhe kritikët e akuzojnë atë për përdorimin e retorikës së mprehtë dhe polarizimit për të hequr vëmendjen nga problemet e tilla si menaxhimi i pasuksesshëm i pandemisë dhe kriza e gjatë ekonomike.

Edhe nëse retorika islamike e qeverisë turke pritet mirë nga elektorati i rregullt i AKP, lind pyetja nëse bota muslimane dëshiron t´i prijë udhëheqja turke. Marrëdhëniet bilaterale janë të vështira jo vetëm me Izraelin - Turqia aktualisht është e izoluar në të gjithë Lindjen e Mesme. Vendet arabe si Egjipti dhe Arabia Saudite gjithashtu janë larguar nga Ankaraja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat