Pilotët e një aeroplani mallrash bënë një ulje dëshpëruese emergjente gjatë natës në ujërat e Oqeanit Paqësor, afër Havait, dhe u shpëtuan mrekullisht nga ekipet e shpëtimit.
Njëri pilot u gjet duke u mbajtur për bishti të aeroplanit që ndodhej në ujë, ndërsa tjetri u shpëtua, pasi u gjet duke u mbajtur në një pako që qëndronte mbi ujë, shkruan The Guardian.
Pilotët ishin duke drejtuar një aeroplan të tipit Boeing 737-200, që u nis nga Honolulu dhe për destinacion e kishte aeroportin Kahului, por u kthye shpejt në drejtim të Honolulut, sipas të dhënave të një faqeje për përcjelljen e fluturimeve.
Pak kohë më pas, roja bregdetare iu përgjigj raportimeve për një aeroplan të rrëzuar në jug të ishullit Oahu, me dy persona brenda.
Rreth orës 2 e 30 minuta të mëngjesit, një helikopter i rojës bregdetare arriti që t’i lokalizonte mbetjet e aeroplanit. Duke kërkuar për të mbijetuar, ekipet e kërkim-shpëtimit e gjetën njërin pilot duke u mbajtur për bishti të aeroplanit dhe e dërguan në spital.
Tjetri pilot u gjet duke u mbajtur në disa pako dhe u shpëtua nga një barkë e departamentit të shpëtimit, duke u dërguar në breg. Të dy pilotët po kontrollohen nga mjekët.
Rreziku që pilotët të vdesin gjatë lëshimit emergjent në ujë është i lartë, sidomos natën dhe sidomos në oqean të hapur.