Pentagoni thotë se dorëzimi i bazës ajrore të Bagramit te forcat e sigurisë afgane ishte “moment kyç” në tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, duke insistuar se Ushtria amerikane ende ka autoritet për t’i mbrojtur forcat afgane.
Komentet nga zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby vijnë në kohën e rritjes së shqetësimeve lidhur me situatën e sigurisë në Afganistan, teksa militantët talibanë kanë rritur sulmet në disa rajone.
Kreu i aleancës ushtarake, të udhëhequr nga Rusia – ku përfshihen edhe disa shtete të Azisë Qendrore – ka sinjalizuar se Moska po e konsideron mbështetjen për sigurinë në kufirin mes Taxhikistanit dhe Afganistanit.
Ushtria amerikane u tërhoq nga baza ajrore Bagram më 2 korrik, që është një bazë në veri të Kabulit. Në këtë bazë, ushtarët amerikanë u vendosën pas pushtimit të Afganistanit, që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001.
Shtëpia e Bardhë tha se tërheqja e trupave do të përfundojë në fund të gushtit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë sisteme të sigurisë dhe mbështetje humanitare edhe gjatë muajve në vazhdim.
Ndërkaq, Kibry u tha gazetarëve se pavarësisht nga tërheqja nga Bagrami, Ushtria amerikane ende ka autoritet për të mbrojtur forcat afgane.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja e trupave është duke shkuar sipas planit, por disa trupa do të qëndrojnë në Afganistan deri në shator, si pjesë e një “tërheqjeje racionale me aleatët”.
Tërheqja nga Bagrami erdhi më shumë se dy muaj para afatit të fundit për tërheqjen e trupave të vendosura nga vetë presidenti Biden, e që është 11 shtatori.