Reagon ShBA-ja pasi Irani nis prodhimin e metalit të uraniumit

Bota

Reagon ShBA-ja pasi Irani nis prodhimin e metalit të uraniumit

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 09:03
Foto ilustrim

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore tha se Irani e ka filluar procesin e metalit të uraniumit të pasuruar, që mund ta ndihmojë këtë shtet për të prodhuar armë bërthamore.

Teherani e informoi vetë organin ndërkombëtar për masën e re, për të cilën tha se ka për qëllim që të zhvillojë karburant për një reaktor hulumtues, shkruan BBC.

Zyrtarët nga Gjermania, Franca e Britania thanë se ky veprim i Republikës Islamike mund t’i rrezikojë bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se ky është një hap fatkeq prapa.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani do të kishte kufizime në programin e vet bërthamor në këmbim të largimit të sanksioneve ekonomike nga Perëndimi.

Ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i largoi Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje në vitin 2018 dhe i ktheu në fuqi sanksionet kundër Iranit. Irani u kundërpërgjigj me shkelje të pikave të marrëveshjes dhe me pasurim të uraniumit.

Deri më tani, edhe administrata e presidentit Biden i ka mbajtur në fuqi sanksionet kundër Iranit, por një delegacion amerikan e përfaqësues të fuqive tjera botërore po zhvillojnë bisedime me Iranin në Vjenë në përpjekje për t’u kthyer në marrëveshje.

Presidenti i porsazgjedhur i Iranit, Ebrahim Raisi, dëshiron që Shtetet e Bashkuara ta bëjnë hapin e parë duke i larguar sanksionet, ndërsa ShBA-ja thotë se Irani fillimisht duhet t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes në mënyrë që t’i hiqen masat ndëshkuese më pas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat