Presidenti amerikan Joe Biden e quajti Mbretin Abdullah të Jordanisë një "mik të mirë, dhe besnik" gjatë një takimi të hënën në Shtëpinë e Bardhë, i pari nga tre bisedimet që do të ketë në javët në vazhdim presidenti me udhëheqësit e Lindjes së Mesme.
Presidenti Biden e cilësoi mbretin si një aleat të fortë në një "rajon të ashpër", duke shfaqur mbështetje për udhëheqësin jordanez pas një sfide në prill ndaj sundimit të tij nga vëllai i tij. "Ju keni qenë gjithmonë pranë, dhe ne do të jemi gjithmonë aty për Jordaninë," tha presidenti Biden gjatë në takimin në Zyrën Ovale me mbretin Abdullah dhe djalin e tij, Princin Husein të Kurorës.
Nga ana e tij, Abdullah tha, "Ju gjithmonë mund të mbështeteni tek unë, vendi im dhe shumë nga kolegët tanë në rajon."
Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se të dy udhëheqësit do të kishin një mundësi për të "diskutuar shumë sfida me të cilat përballet Lindja e Mesme dhe për të shfaqur rolin udhëheqës të Jordanisë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon".
Ajo e quajti Jordaninë "një partner kryesor të sigurisë dhe aleat të Shteteve të Bashkuara".
Takimet e së hënës pritej gjithashtu të përfshinin diskutimin e situatës në Siri, ku një dekadë konflikti ka shtyrë më shumë se 1 milion sirianë në Jordani, si dhe situatën në Irak, ku forcat amerikane kanë qenë shënjestra e sulmeve nga milici të mbështetura nga Irani.
Temat e tjera të pritshme përfshinin përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore me Iranin, bisedimet paqësore Izraelo-Palestineze dhe Marrëveshjet Abraham gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump që bënë që Izraeli të normalizonte marrëdhëniet me katër vende arabe.
Takimi i mbretit Abdullah me Presidentin Biden është i pari nga një udhëheqës i Lindjes së Mesme që kur presidenti amerikan mori detyrën në janar. Kryeministri Irakian Mustafa al-Kadhimi është planifikuar të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme dhe administrata Biden po planifikon një vizitë për Kryeministrin Izraelit Naftali Bennett./VOA