Udhëheqësi komunist i Koresë Veriore, Kim Jong-un, në fotografitë e reja duket se ka humbur edhe më shumë peshë, pasi edhe më herët është raportuar për ndryshimin e dukshëm.
Diktatori në fotografi shihet duke përshëndetur me dorë një grumbull oficerësh ushtarakë dhe duket se ka humbur peshë përreth belit dhe në fytyrë, shkruan Daily Mail.
Pamjet e reja u publikuan një muaj pasi televizioni shtetëror raportoi se Jong-un është në gjendje të dobësuar. Ky raportim ishte i pazakontë, sepse në Korenë Veriore nuk janë normale diskutimet rreth shëndetit dhe jetës personale të shefit të shtetit.
Kim Jong-un njihet si duhanpirës i madh dhe për një kohë të gjatë ka qenë me mbipeshë. Viteve të fundit, dukej se pesha e tij shtohej në krahasim me kohën kur kishte ardhur në pushtet.
Jeta personale e tij është zakonisht temë tabu në mediet shtetërore të Koresë Veriore dhe Pjongiangu asnjëherë nuk ka treguar se sa fëmijë ka Kim Jong-uni.
Ndryshe, Koreja Veriore, edhe ashtu një prej shteteve më të izoluara në botë, kohëve të fundit është ngujuar edhe më shumë nga kontakti me botën e jashtme për shkak të masave kundër koronavirusit.