Presidenti i SHBA-së Joe Biden urdhëroi sonte që numri i ushtarëve amerikanë që do të monitorojnë evakuimin e të huajve dhe qytetarëve amerikanë nga Kabuli të rritet nga 3.000 në 5.000, transmeton CNN.
Pentagoni kishte njoftuar më parë se 3.000 trupa ishin në rrugën e tyre, dhe afërsisht 1.000 trupa janë tashmë në Kabul.
Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të shtunën pasdite, Biden zbuloi se ai kishte urdhëruar rreth 5.000 trupa amerikane të hynin në Afganistan për të siguruar një "tërheqje të duhur dhe të sigurt të personelit amerikan".
Ditë më parë, administrata e tij kishte rekrutuar rreth 3.000 trupa për këtë qëllim, pasi Departamenti i Shtetit shkurtoi stafin në Ambasadën amerikane në Kabul dhe u bëri thirrje të gjithë amerikanëve në vendin e shkatërruar nga lufta të largoheshin menjëherë nga vendi.
Biden ka ngarkuar sekretarin e Shtetit Antony Blinken për të mbështetur presidentin afgan Ashraf Ghani, duke u përcjellë mesazhin përfaqësuesve talibanë në Doha "se çdo veprim nga ana e tyre në terren në Afganistan, që vë në rrezik personelin ose misionin amerikan atje, do të ndeshë me një përgjigje të shpejtë dhe të fortë ushtarake amerikane".
Ndërsa Biden lëshoi paralajmërimin, militantët talibanë iu afruan Kabulit pas përparimit të shpejtë në ditët e fundit. Talibanët kanë pushtuar rreth dy të tretat e 34 provincave të Afganistanit dhe tani janë rreth 10 kilometra nga Kabuli.