SHBA-ja e shqetësuar me prodhimin e metalit të uraniumit në Iran

Bota

SHBA-ja e shqetësuar me prodhimin e metalit të uraniumit në Iran

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 09:16
Një fotografi e lëshuar nga Organizata e Energjisë Atomike e Iranit më 6 nëntor 2019, tregon brendësinë e Objektit të Konvertimit të Uraniumit Fordo (Fordow) në Qom, në veri të vendit.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me raportin e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) në lidhje me prodhimin e metalit të uraniumit nga ana e Iranit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha më 16 gusht se Shtetet e Bashkuara kanë parë raportin e fundit nga IAEA, sipas të cilit Irani ka bërë përparim në pasurimin e uraniumit.

"Irani nuk ka nevojë të arsyeshme për të prodhuar metal uraniumi, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e armëve bërthamore", tha përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, duke i bërë thirrje Teheranit që të ndalë programin e tij bërthamor dhe të kthehet në negociata për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Metali i uraniumit mund të përdoret për të ndërtuar thelbin e një bombe bërthamore.

Por, Irani tha në fillim të këtij viti se po studion metalin e uraniumit për një lloj të ri të karburantit për reaktorin e energjisë.

Sipas marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani u zotua se nuk do të prodhojë metal uraniumi.

Por, ky vend shkeli atë premtim si një nga shumë veprimet që ndërmori pasi ish -presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet.

Trump pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit që të posedojë armë bërthamore.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se dëshiron të kthehet në marrëveshje, por bisedimet indirekte në Vjenë të ndërmjetësuara nga evropianët për të ringjallur marrëveshjen kanë ngecur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat