Në mungesë të një vaksine të miratuar kundër COVID-19 për fëmijët, ekspertët mjekësorë kanë shprehur drojën për përhapjen e vazhdueshme të variantit Delta të koronavirusit mes të rinjve në Uellsin e Ri Jugor dhe Victoria të Australisë.
Ata kanë bërë të ditur se 45 për qind e të gjitha rasteve aktive në Melburn tani janë fëmijë dhe adoleshentë.
Në Uellsin e Ri Jugor më shumë se 2 mijë e 700 raste janë raportuar mes nën 19-vjeçarëve, shifër kjo që përkon me 30-përqindëshin e të gjitha infektimeve. Nga 633 rastet e regjistruara të mërkurën, 63 ishin fëmijë të moshës nëntë vjeç e më poshtë, dhe 104 të moshave prej 10 deri në 19-vjeçare.
Në të gjithë Australinë, që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar më shumë se 2 mijë e 800 raste të infektimit mes fëmijëve nën 10 vjeç. Sipas autoriteteve, këto shifra janë reflektim i shpërthimit të vatrave të infektimit kryesisht nëpër shkolla.