Kryeministri australian Scott Morrison tha të premten fluturimi i parë evakuues nga Afganistani që mbante australianë dhe bartës të vizave afgane zbarkoi në Perth.
Morrison tha se 94 persona fluturuan nga baza ushtarake australiane Al Minhad në Emiratet e Bashkuara Arabe në Perth, ku u dërguan në hotele për karantinë të detyrueshme.
Ai tha gjithashtu se operacioni i evakuimit vazhdoi me 60 persona të tjerë që shkuan nga Kabuli në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa fluturimet e mëtejshme do të vazhdojnë në ditët në vijim, raporton AP.
Morrison tha se situata në Kabul mbeti “kaotike” dhe se personeli i Forcave të Mbrojtjes Australiane nuk ishte në gjendje të vepronte jashtë aeroportit.
Ndërkohë, dhjetëra njerëz mbajtën një vigjilje në Brisbane të enjten mbrëma në mbështetje të njerëzve në Afganistan.