Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelarja Angela Merkel deklaruan të premten në Moskë se dominimi taleban në Afganistan është tashmë një realitet që duhet të njihet.
Putin dhe Merkel u takuan në Kremlin, ku diskutuan një sërë çështjesh, ku krahas asaj të Afganistanit në fokus ishte edhe Ukraina dhe gazsjellësi “Rrjedha e Veriut 2”.
Në fjalën e tij në përfundim të takimit kokë më kokë, Putin tha se vendet e tjera duhet të heqin dorë nga prirjet për të imponuar këndvështrimin e tyre politik në Afganistan, duke shtuar se, pushteti i talebanëve në vend është realiteti që duhet të merret parasysh.
“Politika e papërgjegjshme e vendosjes së vlerave të jashtme duhet të marrë fund, bashkë me aspiratat për të vendosur demokracinë duke ndjekur modelet e shteteve të tjera, pa marrë në konsideratë historinë, kombin dhe traditat fetare të një vendi”, tha Putin, raporton EuroNews.al.
Në të njëjtën linjë, ndonëse më e moderuar, u shpreh edhe Merkel.
“Talebanët kanë pasur më shumë mbështetje nga sa kishim pandehur. Ndaj duhet të përpiqemi të dialogojmë me ta”, tha Merkel.
Duke folur për çështje të tjera, Putin tha se Alexey Navalny nuk ishte arrestuar për qëndrimet e tij politike, ndërsa akuzoi Kievin se nuk është i interesuar për paqen në lindje të Ukrainës.
Sa i takon gazsjellësit të kontestuar nga SHBA “Rrjedha e Veriut 2”, kreu i Kremlinit saktësoi se kanë mbetur vetëm 15 kilometra nga përfundimi i tij.