Varianti Delta përhapet më lehtë sesa variantet e tjera të virusit korona edhe ndër personat e vaksinuar kundër Covid-19. Prandaj ekspertët rekomandojë edhe më tej mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike.
Raportet nga vende të ndryshme po konfirmojnë frikën e shkencëtarëve sipas të cilëve varianti Delta që u përhap me shpejtësi të frikshme në prill dhe maj 2021 në Indi ka më shumë të ngjarë se variantet e tjera që të përhapet ndërmjet personave të vaksinuar.
Të dhënat nga testet e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Singapor tregojnë se personat e vaksinuar që infektohen me Delta-Sars-CoV-2 mund të kenë në zgavrën e hundës po aq virus sa të pavaksinuarit.

Kjo do të thotë që pavarësisht nga mbrojtja prej vaksinimit, disa nga të vaksinuarit mund ta kalojnë virusin Delta tek të tjerët dhe të kontribuojë për përhapjen e tij, thotë David O'Connor, virolog në Universitetin Wisconsin-Madison.
Mbajtja e maskave duhet të vazhdojë
Rezultatet bëjnë të qartë se sa të rëndësishme janë masat mbrojtëse si mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura për të zvogëluar transmetimin. Studiuesit theksojnë se vaksinat Covid-19 mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve, por të dhënat mbi transmetimin e variantit Delta tregojnë se "njerëzit që vaksinohen duhet të respektojnë megjithatë masat parandaluese", thotë bashkautori i studimit Thomas Friedrich, virolog në Universitetin Wisconsin-Madison.
Vatra përhapjeje edhe festat e vogla familjare
Të dhënat nga Provincetown, Massachusetts arrijnë në rezultate të ngjashme. Në Provincetown u bënë analiza të pjesëmarrësve në aktivitete dhe tubime të mëdha, kurse në Wisconsin u bënë analiza të njerëzve që kishin marrë pjesë në festa të vogla familjare. Dhe sipas studiuesve edhe grupimet me pak vetë mund të kontribuojnë për përhapjen e variantit Delta.

"Duke pasur parasysh nivelet e larta të virusit Delta që vërehen në javën e parë të infektimit, masat mbrojtëse si maskat dhe higjiena e duarve të mund të zvogëlojnë transmetimin janë të rëndësishme për të gjithë, pavarësisht nga statusi i vaksinimit, "thotë bashkautori i studimit Barnaby Young, studiues i sëmundjeve infektive në Qendrën Kombëtare për Sëmundjet Infektive në Singapor.