Franca u bashkua sot me Britaninë e Madhe dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë tërheqjen e forcave të tyre pas afatit të 31 gushtit.
Gjatë bisedës me gazetarët, ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Jean Yves Ledrian, shprehu shqetësimin për afatin e përcaktuar nga SHBA, dhe shtoi se nevojitet kohë shtesë për të përfunduar operacionet aktuale, raporton BBC.
Kryeministri Boris Johnson do t'i kërkojë Shteteve të Bashkuara gjatë takimit urgjent nesër të G7 që të zgjasë afatin për largimin nga Afganistani pas 31 gushtit, në mënyrë që të mundësojë vazhdimin e evakuimit masiv nga aeroporti në Kabul.
Forcat aleate besohet se nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë prezencën e tyre në aeroportin e Kabulit pa trupat amerikane në terren.