Afganistani nxori në pah “luftën e fshehtë” BE-SHBA

Bota

Afganistani nxori në pah “luftën e fshehtë” BE-SHBA

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 21:42
Liderët e G7

Një seri mosmarrëveshjesh, më së shumti mbi Afganistanin kanë bërë që disa udhëheqës europianë të rishikojnë pritshmëritë që kishin për Presidentin Joe Biden dhe të mendojnë më shumë për një të ardhme të pakontrolluar më nga SHBA.

Nga një shtrëngim i thatë i dorës me Donald Trump, te njëra dorë mbi supe me Presidentin Biden, përshëndetjet e Emmanuel Macron tregojnë historinë se si udhëheqësit e BE-së e panë ndryshimin e administratave amerikane në fillim të këtij viti.

Në samitin e fundit të G7 në Cornwall, i pari i Joe Biden si president i SHBA Macron eci përgjatë plazhit me krahun e tij rreth zotit Biden. Ndryshimi i gjuhës së trupit ishte i qartë: të dy palët u rikthyen krah për krah edhe një herë.

Por, në kryeqytetet në të gjithë Evropën, nga Londra në Berlin, Afganistani ka thartuar ëmbëlsinë e muajit të mjaltit të Joe Biden me Evropën. Hatërmbetja nuk lidhet me tërheqjen, por me mungesën e koordinimit të Shteteve të Bashkuara me aleatët, veçanërisht pasi misioni i NATO-s në kohën e tërheqjes përfshinte trupa nga 36 vende, tre të katërtat e të cilëve ishin joamerikanë, duke çuar në një garë mes aleatëve për evakuim.

Dislokimi gjerman në Afganistan ishte misioni i tij i parë i madh luftarak që nga Lufta e Dytë Botërore, kështu që zhgënjimi se si përfundoi është gjithashtu edhe më i madh. Armin Laschet, kandidati konservator i Gjermanisë për kancelar përpara zgjedhjeve të këtij muaji, e quajti tërheqjen e SHBA "si debatin më të madh që ka përjetuar NATO që nga themelimi i saj".

Për udhëheqësit e Evropës, mënyra e tërheqjes amerikane dhe komentet e Joe Biden se SHBA nuk do të dërgojnë më trupa në "rindërtimin e vendeve të tjera" ka ngjyra të politikës së Donald Trump "Amerika në radhë të parë".

Por, ndërsa ka frustrim për mungesën e komunikimit të Uashingtonit me kryeqytetet e BE -së, ndoshta është shumë herët për të thënë se sa kjo do të dëmtojë në marrëdhëniet mes SHBA dhe Evropës.

"Përçarja kryesore nën Trump kishte të bënte më pak me vendimet specifike të politikës së jashtme dhe më shumë se ne nuk ndanim të njëjtat vlera krejt papritur", thotë Nathalie Toçi, një këshilltare e shefit të politikës së jashtme të BE, Josep Borrell.

"Trauma e vërtetë e trumpizmit nuk ishte vetëm" Amerika e Parë ", por ai dukej se po merrte më shumë me Xi dhe Putin dhe për Afganistanin as që jemi pyetur kur nisën bisedimet me talebanët. Ajo që ka ndryshuar është preokupimi në rritje në Evropë që ndërsa SHBA tërhiqet politika e jashtme, çfarë do të ndodh”, shton ajo.

Në të vërtetë, disa shohin në çështjen e Afganistanit thjesht një vazhdimësi të tendencës së vjetër amerikane për të mos pyetur aleatët evropianë, duke marrë të mirëqënie dakordësinë e tyre, me hir, a me pahir.

Kjo ka rikthyer idenë brenda BE-së për një autonomi më të madhe strategike në politikën e jashtme. Vende si Franca këmbëngulin dhe kërkojnë vendosjen e një ekuilibri dhe barazie me SHBA sa i takon kësaj çështje.

"Disa vende të tjera, si Britania e Madhe dhe Gjermania, gjithmonë mendonin se mund të mbështeteshin kryesisht te SHBA për sigurinë. Sot, këto vende tremben se mos kjo ka ndryshuar. Por ne shpesh kemi thënë se duhet të rimendojmë sesi funksionon NATO”, thotë zonja Loiseau, ish -ministre franceze.

Afganistani është vetëm njëra prej çështjeve që ndan BE-në me SHBA e Joe Biden. Dështimi i administratës së tij për të hequr plotësisht tarifat tregtare të epokës Trump për mallrat evropiane, mbështetja për certifikatën për vaksinat Covid - përsëri në dukje të bëra pa u konsultuar me BE - dhe refuzimi i tij për të hequr ndalimet e udhëtimit të lidhura me pandeminë me vendet e BE kanë ftohur edhe më tej raportin.

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas thotë se ai e anuloi udhëtimin e tij të planifikuar në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme "sepse nuk e konsideroj të drejtë mungesën e reciprocitetit në rregullat e udhëtimit". BE -ja tani ka hequr SHBA -në nga "lista e sigurt" e udhëtimit: e parë nga disa si një ilustrim i tensioneve në rritje.

Shqetësimet e BE-së tani janë të dyfishta. Së pari, se kaosi në Afganistan nxit një krizë tjetër emigrantësh, duke rikthyer krizën siriane të 2015-s, kur më shumë se një milion njerëz që iknin nga Siria dhe gjetkë mbërritën në Evropë dhe e dyta, nëse SHBA është më e fokusuar në vetvete, e kombinuar fillimisht me një Gjermani pa Angela Merkel dhe një Francë, presidenti i së cilës përballet me rizgjedhjen e afërt, lë një vakum pushteti që Rusia dhe Kina tashmë po e mbushin. Frika ekziston se të gjitha këto do se do të nxisin veprime, siç janë kërcënimet në rritje të Pekinit ndaj Tajvanit, pa u trembur për pasojat që mund të prodhojë perëndimi.

"Një herë e një kohë, SHBA flisnin dhe ruanin rendin global”, thotë Carl Bildt, diplomati veteran suedez.

"Sot, kjo nuk është më ajo që flitet në Shtëpinë e Bardhë. Pritshmëritë (me Biden) për një ringjallje të marrëdhënieve transatlantike janë shfryrë”, vijon ai./Burimi BBC

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat