Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Ressa, e ka kritikuar Facebook-un duke thënë se është duke u bërë kërcënim për demokracinë. Sipas saj, ky rrjet social nuk është duke arritur ta ndalojë përhapjen e urrejtjes dhe dezinformimit dhe është “i njëanshëm ndaj fakteve”.
Drejtuesja e mediumit “Rappler” në Filipine ka thënë se algoritmet e Facebook ” i japin përparësi përhapjes së gënjeshtrave të mbushura me zemërim dhe urrejtje mbi faktet”.
“Facebook është bërë shpërndarësi më i madh i lajmeve në botë dhe megjithatë është i njëanshëm kundër fakteve, është i njëanshëm kundër gazetarisë”,ka thënë Ressa.
Ndërsa një zëdhënës i Facebook ka deklaruar se ata vazhdimisht investojnë që t’i largojnë dhe zvogëlojnë gjërat që janë të dëmshme.
“Ne besojmë në lirinë e shtypit dhe mbështesim organizatat e lajmeve dhe gazetarët në të gjithë botën derisa ata vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme”, shtoi zëdhënësi, shkruan Euronews.