Takimi virtual mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping u vlerësua si një hap përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zoti Xi e quajti zotin Biden një "mik të vjetër" dhe Presidenti amerikan tha se shpresonte që të dy udhëheqësit do të mund të punonin së bashku në trajtimin e ndryshimit të klimës dhe për sfidat e tjera. Por disa kritikë të Pekinit në Shtetet e Bashkuara shpresonin për më shumë.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij kinez Xi Jinping zhvilluan një takim virtual këtë javë, një bisedë treorëshe gjatë së cilës ata diskutuan një sërë çështjesh, por që dha pak rezultate konkrete. Të dyja palët e quajtën atë një hap përpara në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Por kritikët thonë se ata po prisnin më shumë nga takimi, veçanërisht aktivistët e të drejtave të njeriut të përqëndruar në trajtimin e rëndë nga Kina të ujgurëve, shtypjen e demokracisë në Hong Kong, qëndrimin e saj kërcënues ndaj Tajvanit dhe veprimet shtypëse në Tibet.
“Ne e mirëpritëm faktin që Presidenti Biden përmendi abuzimin e të drejtave të njeriut në disa rajone të Kinës, por sigurisht që ne presim më shumë. Ne vërtet duam veprime reale nga administrata e Presidentit Biden”, tha Brian Leung nga Këshilli për Demokraci në Hong Kong.
“Ne e kemi parë nga deklarata për shtyp e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë për takimin, ku thuhet se ka patur dialog miqësor, janë përmendur shumë çështje, por nuk shohim ndonjë veprim apo premtim konkret nga dy udhëheqësit botërorë”, thotë Joey Siu nga organizata “Hong Kong Watch”.
Të tjerë thanë se do të donin të shihnin një marrëdhënie të mirë mes të dyja palëve.
“Shpresoj se do të kemi një marrëdhënie më të mirë, më shumë biznes mes kinezëve dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë Jia Xual, një student kinez që po studion në Shtetet e Bashkuara.
Pekini është organizator i Lojrave Olimpike Dimërore që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm dhe disa kritikë të Kinës shpresojnë se vendet e botës do ta përdorin këtë si një mundësi për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë.
“Ne morëm lajmin se qeveria amerikane dhe Presidenti Biden do të njoftojnë një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike të Pekinit të vitit 2022. Ne sigurisht e mirëpresim këtë veprim dhe i bëjmë thirrje botës, udhëheqësve të vendeve të tjera, që t'i bashkohen kësaj nisme”, thotë Brian Leung nga Këshilli për Demokraci në Hong Kong.
Administrata e Presidentit Biden nuk i ka përfunduar planet për një bojkot të mundshëm diplomatik, por disa ligjvënës amerikanë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore në Pekin./VOA